Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, 18-20 shkurt 2023

Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, 18-20 shkurt 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Durrës – Zhvillohet operacioni policor i koduar “Embargo”, bazuar në inteligjencën policore.  Operacioni është në vijim, për goditjen e futjes në Shqipëri, të naftës kontrabandë që vjen nga Rusia. Bllokohet një anije që transportonte 22 500 tonë naftë. Në operacion, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Policia Kufitare e Portit Durrës, Drejtoria e Antikontrabandës, autoritetet doganore të portit, roja bregdetare dhe Kapiteneria e Portit Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Strukturat policore që operojnë në Durrës, veçanërisht Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në DVP Durres, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara muajt e fundit, me qëllim goditjen e kontrabandimit të naftës që vjen nga Libia e vende të tjera, kanë siguruar në vijimësi, përmes inteligjencës informative, informacione për një anije me flamur liberian që do të kontrabandonte një sasi shumë të madhe nafte. Bazuar në këto informacione është organizuar dhe është në vijim operacioni policor i koduar “Embargo”, në kuadër të të cilit është bllokuar një anije me flamur liberian, e cila transportonte 22 500 tonë naftë, me dokumentacion të falsifikuar, që do të kontrabandohej në Shqipëri. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se kjo ngarkesë nafte është marrë nga vendet me embargo për naftën, konkretisht nga Rusia. Anija ishte nisur nga Azerbajxhani dhe pretendohet se më pas është ngarkuar me naftë në portin Kallamata, Greqi, nga një anije tjetër, në një sasi prej 22 500 tonë lëndë djegëse naftë. Në vijim të veprimeve, bazuar në dyshime të arsyeshme se kjo sasi nafte e kishte origjinën nga vendet me embargo dhe ishte e kontrabanduar, pasi nuk disponohej dokumentacion i rregullt, u bë sekuestrimi i saj dhe i dokumentacionit të lundrimit të kapitenit, si dhe bllokimi i ekuipazhit që përbëhej nga 22 shtetas, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet e thelluara, me qëllim dokumentimin sa më të plotë të kësaj veprimtarie të kunndërligjshme dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari, si persona fizikë apo juridikë.

Elbasan/Vijon operacioni policor i koduar “Inteligjenca”, për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale. Në vijim të operacionit, Policia kap dhe vë në pranga 2 shtetasit që dyshohet se janë të përfshirë në rastin e parandaluar nga Policia. Në nisje të operacionit, një ditë më parë, Policia gjeti dhe sekuestroi 4 armë zjarri (3 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë) dhe një automjet, që dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e këtij krimi.      Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore, për një ngjarje të mundshme kriminale, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Inteligjenca”. Në kuadër të operacionit u ngritën pika të shumta kontrolli dhe u ushtrua kontroll në ambiente të ndryshme të cilat dyshohej se shërbenin për fshehjen e sendeve dhe mjeteve me të cilat mund të kryheshin veprimtari kriminale. Pas kontrollit në terren, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, shërbimet e Policisë gjetën një automjet tip “BMË X6”, brenda të cilit u gjetën 3 armë zjarri kallashnikov dhe 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë). Gjithashtu, në afërsi të një koshi mbeturinash, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.  Personat e dyshuar, për shkak të presionit policor në terren, fshehën automjetin me të cilin qarkullonin, armët e zjarrit, bidonat me benzinë dhe mjete të tjera me të cilat do të kryenin krimin. Në vijim të veprimeve hetimore të thelluara, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të operacionit policor “Inteligjenca”, janë arrestuar në flagrancë shtetasit A. S., 53 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”; A. P., 44 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Për hetimin e thelluar të këtij rasti është duke punuar një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët më të mirë të hetimit të krimit të DVP Elbasan,  specialistët e Drejtorisë për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore,  nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 233 shtetas, konkretisht: 60 shtetas janë vënë në pranga, 164 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 32 raste-8 shtetas janë vënë në pranga dhe 27 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 4 raste-1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 24 raste-3 shtetas janë arrestuar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 25 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste-4shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale dhe objekt kalimin e paligjshëm të kufirit, janë evidentuar 2 raste-2 shtetas janë vënë në pranga.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 18 raste-5 shtetas janë arrestuar në flagrancë, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 5 rastet e tjera po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. 

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste-1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për secilin rast. Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Vetëgjyqësisa”-1shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për secilin rast. Janë evidentuar 13 rast të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”-4 shtetas janë arrestuar, 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 është shpalur në kërkim.

Në fushen e kontrabandës së mallrave janë evidentuar 2 raste-1 shtetas është arrestuar, 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 vepra penale në fushën e lojërave të fatit-1 shtetas është arrestuar, 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë arrestuar , 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 16 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Për vepra penale të kundërshtimit të punonjësve të policisë apo të personave të tjerë që kryejnë detyra të tjera shtetërore janë evidentuar 5 raste-2 shtetas janë arrestuar, 19 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 5 janë shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 4 raste të korrupsionit aktiv-5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Përndjekja”, 1 rast i “Veprime në kundërshtim më vendimin e gjykatës”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, me nga 1 autor të proceduar në gjendje të lirë për secilin rast. Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me nga 1 autor të proceduar në gjendje të lirë për secilin rast.  

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 aksidente, si pasojë e të cilave janë dëmtuar 10 shtetas. Janë evidentuar në total 30 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor-18 shtetas është vënë në pranga dhe 12 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.