Raporti ditor i ngjarjeve, 21 shkurt 2023
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Klos/Ndezi zjarr në vendin e quajtur “Kepi i djepzave”, flakët u përhapën duke djegur një sipërfaqe të madhe toke dhe duke shkaktuar panik tek banorët, pas disa orësh hetime, Policia identifikon, kap dhe vë në pranga autorin e dyshuar. Në vijim të punës për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Postën e Policisë Klos arrestuan në flagrancë shtetasin A. Xh., 38 vjeç. Ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Kepi i djepzave”, bashkia Klos, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është shkaktuar panik tek banorët dhe janë djegur sipërfaqe toke me shkurre dhe barishte. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërive në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.
DVP Vlorë – Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. N., 41 vjeç, banues në Sarandë, pasi ka tentuar të hyjë me forcë në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe ka kundërshtuar punonjësin e këtij komisariati. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim një shtetas 17 vjeç, pasi ditën e djeshme, në fshatin Berdenesh, ka kanosur për shkak të detyrës, shtetasin E. M., me detyrë përmbarues dhe shtetasen E. K., avokate, të cilët kishin shkuar në këtë fshat, për të ekzektuar vendimin e Gjykatës, për prishjen e një objekti. Në vijim të veprimeve për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë edhe për shtetasit: E. Rr., 36 vjeç, E. Q., 35 vjeç, H. Gj., 32 vjeç, Sh. P., 30 vjeç, A. D., 56 vjeç, K. L., 24 vjeç, D. M., 37 vjeç, T. Rr., 32 vjeç, L. N., 51 vjeç dhe E. Rr., 29 vjeç, banues në fshatin Berdenesh, Sarandë (familjarë të 17-vjeçarit), për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë që kanë qenë në mbështetje të përmbaruesit, për zbatimin e vendimit të Gjykatës. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. L., 47 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Berat-Informacione paraprake/Gjatë natës, në aksin rrugor Berat-Ura e Kuçit, në afërsi të fshatit Poshnje, shtetasi K.M., 28 vjeç, banues në Berat, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka goditur një shtyllë ndriçimi dhe ka rënë në kanalin anësor duke marrë flakë. Për pasojë ka ndërruar jetë brenda në mjet drejtuesi shtetasi K.M. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Në fshatin Poshnje, Dimal është gjetur në banesë nga familjarët pa shenja jete dyshohet i vetëvarur shtetasi M.Ç., 60 vjeç. Nga ekzaminimet paraprake mjeko-ligjore në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Krujë/Informacion paraprak – Gjatë natës, në autostradën Fushë Krujë-Laç, një automjet me drejtues shtetasin A. Z., 37 vjeç, ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin M. N. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar pasagjeret që ndodheshin në automjetin që drejtonte shtetasi M. N, konkretisht shtetaset E. P., 44 vjeçe dhe K. P., 13 vjeçe, të cilat ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Durrës/Informacion paraprak – Rreth orës 09:30, në lagjen nr. 7, Durrës, është gjetur pa shenja jete dhe pa shenja dhune, në trotuar, një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 60 vjeç. Paraprakisht dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën, për shkaqe natyrale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 75 shtetas, konkretisht: 20 shtetas janë vënë në pranga, 53 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste-5 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 2 raste-1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste-1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 3 raste-2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i kontrabandës së mallrave-2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i krimit kompjuterik-1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale dhe objekt kalimin e paligjshëm të kufirit, është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të vënë në pranga.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 5 raste-1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, 2 shtetas janë shpallur në kërkim, ndërsa për 2 rastet e tjera po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 4 raste-1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, 1 shtetas është shpallur në kërkim, ndërsa për rastin tjetër po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe 2 raste të veprës penale “Pushtim toke”, me nga 1 autor të proceduar në gjendje të lirë për secilin rast.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Përndjekja”, “Veprime në kundërshtim më vendimin e gjykatës”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, me nga 1 autor të proceduar në gjendje të lirë për secilin rast. Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me nga 1 autor të proceduar në gjendje të lirë për secilin rast. Është evdientuar dhe 1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 10 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Goditja për shkak të detyrës”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, si pasojë e të cilave ka humbur jetën 1 shtetas ndërsa 12 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 7 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor-6 shtetas është vënë në pranga dhe 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.