Vlorë/Goditet 1 rast i organizimit të lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”.
Kishte përshtatur ambientet e lokalit që administronte, për organizimin e lojës së pokerit, procedohet penalisht 34-vjeçari.
Sekuestrohen 1 tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve në lokale dhe në ambiente të tjera në të cilat mund të organizohen lojëra fati në kundërshtim me ligjin, kanë evidentuar dhe goditur 1 rast të kësaj veprimtarie të paligjshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në administrimin e shtetasit N. P., në lagjen “1 Maji”, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 tavolinë pokeri dhe 1 valixhe me çipsa e letra bixhozi, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve për këtë rast, u refruan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. P., 34 vjeç, për veprat penale “Organizmi ose ushtrimi i lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për organizimin apo luajtjen e lotarive, lojërave të fatit apo bixhozit”.
Nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. T., 23 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik ndaj tij dhe kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe një send plastik (pistoletë lodër).
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.