Durrës / Konstatohet në fazë fillestare një rast i veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe parandalohen në kohë, veprimtari të tjera kriminale në këtë fushë.
Sekuestrohen dhjetëra fara narkotike. Arrestohet në flagrancë 24-vjeçari që i transportonte farat me automjet.
Procedohet penalisht një 22-vjeçar, pasi u kap në automjetin që drejtonte i arrestuari, duke konsumuar lëndë narkotike.
Në vijim të kontrolleve dhe si rezultat i administrimit në kohë reale të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, evidentuan dhe goditën në fazën fillestare, një rast të veprimtarive kriminale në këtë fushë.
Për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi D. M., 24 vjeç, banues në Kullë, Durrës, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjëndje të lirë për shtetasin F. L., 22 vjeç, banues në Kullë, Durrës.
Shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues 24-vjeçarin dhe ku ishte pasagjer shtetasi F. L. Si rezultat i kontrollit në këtë automjet, u gjet dhe u sekuestrua, një sasi farash të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat do të kultivoheshin në zona të ndryshme. Gjithashtu, në këtë automjet u konstatua shtetasi F. L., teksa konsumonte lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.