Policia e Shtetit
Puna policore gjatë këtyre 24 orëve, u finalizua me sekuestrimin e 30 kallëpeve tritol, 4 granatave dore, 181 bimëve narkotike, dozave kokaine dhe kanabisi, 20 000 eurove të padeklaruara, një sasie vere të kontrabanduar, si dhe me vënien në pranga të 24 shtetasve, për vepra të ndryshme penale.
✅Operacioni antidrogë “Vila”, i zhvilluar në Fier, ka rezultuar me zbulimin e 5 dhomave në një vilë 3-katëshe, të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave. U vunë në pranga pronari i vilës dhe 2 punonjës të OSHEE-së, u bllokua ndërtesa, si dhe u sekuestruan bimë kanabisi të kultivuara e pajisje elektrike që i shërbenin kryerjes së këtij krimi.
✅Policia e Vlorës sekuestroi si rezultat i kontrolleve në terren dhe inteligjencës informative, sasi të konsiderueshme lëndësh plasëse që u lanë në një banesë të braktisur, për shkak të presionit të Policisë. Vijon puna intensive për kapjen e poseduesit/ve të lëndëve plasëse, si dhe zbardhjen e këtij rasti.
✅Shërbimet e Policisë së Tiranës dhe Shkodrës goditën raste të shpërndarjes së dozave të kokainës dhe kanabisit, pranë 2 shkollave në Kamzë dhe në zona të ndryshme të qarkut të Shkodrës. U vunë në pranga 4 shtetas dhe u sekuestruan doza të këtyre lëndëve narkotike.
✅Shërbimet e Policisë Kufitare në Muriqan dhe në Port Vlorë, si rezultat i kontrolleve në hyrje/dalje, goditën raste të krimeve kufitare. Në Muriqan, në dalje, u sekuestruan 20 000 euro të padeklaruara, ndërsa në Port Vlorë u sekuestrua një sasi vere që tentohej të kontrabandohej drejt vendit tonë. Të dy autorët e dyshuar të këtyre paligjshmërive, janë vënë në hetim.
✅Në Dimal, Berat, u vu në pranga një 31-vjeçar që tentoi të vidhte me forcë, në zyrën e arkëtarit të Njësisë Administrative Kutalli.
✅Po në Berat u proceduan penalisht 3 shtetas, administratorë dhe punonjës të 2 subjekteve private, me aktivitet nxjerrjen dhe përpunimin e gurëve dekorativë, pasi dyshohet se i ushtronin këto veprimtari, duke dëmtuar habitatin e zonës së mbrojtur në malin e Tomorrit.
✅Specialistët e Njësisë “E” në DPPSH ekzekutuan 5 masa sigurie “Arrest në burg” dhe 1 masë sigurie “Arrest në shtëpi”, mbi akuzat e ngritura nga SPAK, për 6 shtetas (4 prej tyre funksionarë dhe ish-funksionarë të bashkisë së Dimalit), për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Forca parandaluese dhe goditëse e Policisë së Shtetit, e fokusuar me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike.