DVP Korçë/Vihen në pranga 6 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 7 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
✅Tentuan të transportonin për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin, 4 emigrantë, të cilët sapo panë shërbimet e Policisë nuk hynë në automjet, vihen në pranga 2 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një rast të tentativës për dhënie ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit. Si rezultat, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, mbetur në tentativë, shtetasja E. L., 27 vjeçe dhe shtetasi algjerian S. G., 29 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në dalje të qytetit të Pogradecit, automjetin me drejtuese shtetasen E. L. dhe pasagjer shtetasin S. G., dhe i kanë bërë shenjë që të ndalonte, pasi sipas informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, këta shtetas do të transportonin 4 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së. Këta 4 shtetas, kur kanë parë shërbimet e Policisë, nuk kanë hyrë në automjetin me të cilin do të transportoheshin, por janë larguar me shpejtësi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë ndaluan shtetasin në kërkim Gj. S., 52 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 09.12.2016, e ka dënuar këtë shtetas me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin Dh. G., 39 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Pirg, Maliq, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe është përplasur me barrierën anësore të rrugës. Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi Dh. G. e drejtonte automjetin, pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin E. L., 41 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij.
Po këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 36 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Vjedhja”, pasi dyshohet se i ka vjedhur portofolin me një sasi parash, një shtetasi tjetër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Z. B., 66 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Kanosja”, për shtetasit:
N. C., 40 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë dhe ka tentuar të godasë me një send të fortë, një shtetas tjetër;
K. P., 23 vjeç dhe R. P., 19 vjeç, banues në fshatin Udënisht, Pogradec, për veprën penale “Kanosja”, pasi dyshohet se për motive të dobëta kanë kanosur me fjalë, dy shtetas të tjerë.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. Z., 66 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”. Ky shtetas dyshohet se ka ndotur mjedisin në fshatin Gështenjas, Pogradec, pasi në afërsi të ish-repartit ushtarak, ka hedhur një sasi mbeturinash (mbetje ushqimore). Nga verifikimi i kryer rezultoi se 66-vjeçari posedon një fabrikë përpunimi dhe ushtronte aktivitetin e tij i paregjistruar në organet tatimore. Gjithashtu, në këtë subjekt ai kishte të punësuara 3 shtetase të pasiguruara në organet tatimore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. I., 51 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij, për të cilën u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin H. D., 27 vjeç, banues në fshatin Kolanec, Maliq, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, pasi u kap duke transportuar me mjetin tip “Mitsubishi”, një sasi drush të prera në mënyrë të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Pogradec e Korçë, për veprime të mëtejshme.