Peqin – Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në kohë, brenda stadiumit, për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit të krijuar gjatë ndeshjes mes ekipeve të futbollit

Peqin

Komisariati i Policisë Peqin, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Peqinit, kishin marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve K. F. Shkumbini dhe K. F. Delvina, e cila filloi në orën 13:00, në stadiumin e qytetit të Peqinit.

Masat për sigurinë brenda stadiumit i kishte marrë Policia Bashkiake, ndërsa shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, sipas regullores, kishin marrë masa për sigurinë në perimetrin e jashtëm të stadiumit.

Gjatë zhvillimit të ndeshjes, në momentin kur ekipi i Delvinës shënoi gol, stafi i ekipit të Shkumbinit është konfliktuar me stafin e ekipit të Delvinës dhe për këtë arsye arbitri kryesor ka ndërprerë ndeshjen.

Menjëherë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan, që ndodheshin në sigurimin e perimetrit të jashtëm të stadiumit, kanë ndërhyrë në stadium duke parandaluar përshkallzimin e konfliktit dhe kanë bërë sigurimin e të dy ekipeve, K.F. Delvina dhe K.F. Shkumbini.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin proceduan penalisht për veprën penale ” Kanosja për shkak të detyrës”, shtetasit F. H., 52 vjeç, banues në Peqin, me detyrë shefi i klubit të futbollit të K. F. Shkumbini dhe shtetasin A. G. 66 vjeç, banues në Delvinë, me detyrë, trajnier i klubit të futbollit të K. F., Delvina.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë, pas vendimit të arbitrit për mos rifillimin e ndeshjes, kanë bërë shoqërimin deri në dalje të territorit të qarkut Elbasan, të lojtarëve dhe të stafit të ekipit të Delvinës.