Mesditën e sotme në Komisariatin e Policisë Has u përurua sistemi i monitorimit non stop 24 orë, me kamera dixhitale i qytetit të Krumës.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komisariateve të tre rretheve, Kryetari i Bashkisë Has dhe drejtues të organeve ligjzbatuese në Qark.
Sot, në ambientet e Komisariatit të Policisë Has u zhvillua ceremonia e inaugurimit të sistemit të vëzhgimit me kamera të qytetit të Krumës, ku morën pjesë Prefekt i Qarkut Kukës, Kryetar i Bashkisë Has, drejtues të institucioneve vendore, si dhe efektivë të DVP Kukës.
Prefekti i Qarkut Zenel Kuçana e ka cilësuar si mjaft të rëndësishëm këtë ivestim që do shërbejnë në rritjen e parametrave të sigurisë dhe ka theksuar se tre muaj më parë ka përfunduar instalimi i kamerave dixhitale në qytetin e Kukësit dhe brenda vitit do të përfundojë dhe në qytetin e Bajram Currit. Kuçana ka falënderuar sipërmarrësin Qarri dhe ka ftuar gjithë biznesmenët e qarkut që të mbështesin Policinë për të ndërtuar sisteme sigurie efikase në të mirë të komunitetit.
Drejtori i DVP Kukës Drejtues Zef Laska dhe Kryetari i Bashkisë Has z. Liman Morina, në shenjë falënderimi i dhanë Certifikat Mirënjohjeje financuesit të projektit z. Myrteza Qarri, i cili kontribuoi për qytetin e tij.
Në fjalën e tij Drejtori i DVP Kukës Drejtues Zef Laska ka theksuar se ky kontribut është një tregues i nivelit shumë të mirë të bashkëpunimit të strukturave policore me komunitetin e këtij Qarku.
Financimi nga operatorët e ndryshëm ekonomikë i sistemit të vëzhgimit me kamera të qytetit të Kukësit, si dhe investimi nga zoti Myrteza Qarri i këtij sistemi vëzhgimi me kamera të qytetit të Krumës që po inaugurojmë sot tregon besimin dhe mbështetjen e qytetarëve për Policinë.
Zef Laska:
“Përdorimi me efektivitet i sistemit të vëzhgimit me kamera të qytetit të Krumës do të kontribuojë ndjeshëm në krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët, si dhe për identifikimin e autorëve të veprave të ndryshme penale apo shkeljeve të ligjit.
Po kështu ky sistem do të kontribuojë edhe në monitorimin e veprimtarisë së shërbimeve të strukturave të rendit publik dhe të Pollicisë Rrugore, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve policore ndaj qytetarëve.
Strukturat e DVP Kukës janë të angazhuara për përmirësimin e vazhdueshëm të treguesve në fushën e rendit publik, duke bërë të mundur rritjen e nivelit të sigurisë në të gjithë Qarkun e Kukësit. Por ne jemi të vetëdijshëm se ky nivel sigurie në Qarkun e Kukësit nuk do të ishte arritur nga strukturat e DVP Kukës, pa bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar nga Prefekti i Qarkut Kukës, Kryetarët e Bashkive Kukës, Has dhe Tropojë, institucionet e tjera shtetërore, si dhe nga qytetarët, për identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve të ndryshme që shqetësojnë komunitetin.
Përdorimi i një sistemi sigurie me kamera vëzhgimi është vija e parë e mbrojtjes kundër çdo aktiviteti kriminal ndaj jetës dhe pronës së qytetarëve, si dhe mundëson reduktimin në maksimum të veprave penale dhe shkeljeve të ligjit.
Kështu, me anë të sistemit të kamerave të vëzhgimit në qytetin e Kukësit është arritur që gjatë tre muajve në këtë qytet të evidentohet vetëm një vepër penale e vjedhjes, autori i së cilës është identifikuar nëpërmjet kamerave të sigurisë, si dhe të identifikohen autorët e dy aksidenteve rrugore, të cilët u larguan nga vendngjarja.
Në kuadër të implementimit të ligjit “Për masat shtesë të sigurisë publike” po bashkëpunojmë me subjektet publike e private, veprimtaria e të cilave përbën burim rreziku të shtuar për sigurinë, për pajisjen e objekteve me kamera sigurie, me synim zbulimin, parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale, në mbrojtje të pronës, jetës së qytetarëve dhe garantimin e sigurisë publike.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi është arritur që të pajisen me kamera sigurie 113 objekte të ndryshme në Qarkun e Kukësit, të cilat kanë gjithsej 1092 kamera, ndërsa në Bashkinë e Hasit janë pajisur me kamera sigurie 30 objekte të ndryshme.
Megjithë rezultatet e arritura në fushën e rendit publik nga strukturat e DVP Kukës, vlerësojmë se punonjësit e policisë duhet të përmirësojnë në vazhdimësi kulturën dhe etikën e komunikimit, si dhe cilësinë e shërbimeve policore që ofrojnë ndaj qytetarëve.
Në përfundim, ju siguroj se strukturat e DVP Kukës do të vijojnë punën për forcimin e bashkëpunimit me të gjitha institucionet e tjera ligjzbatuese, organet e qeverisjes vendore dhe komunitetin, për të identifikuar dhe zgjidhur problemet e sigurisë së përbashkët, për të parandaluar veprimtarinë kriminale dhe garantuar rendin publik në Qarkun e Kukësit”.