Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Direction”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së dozave të kokainës dhe të kanabisit.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë.
Sekuestrohen rreth 2 kg kanabis, doza kokaine, 2 peshore elektronike, 3 aparate celulare dhe 189 800 lekë të rinj që dyshohet se janë përfituar nga ky aktivitet kriminal.
Vihet në pranga poseduesi i tyre. Në pranga dhe një shtetas tjetër që bashkëpunonte me të, për të shpërndarë dozat e kokainës dhe të kanabisit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Direction”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasi M. K., 27 vjeç dhe një shtetas 16 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 i kanë lokalizuar dhe ndaluar këta 2 shtetas, në Yzberisht. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit M. K. dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 2 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, një sasi dozash kokaine, 2 peshore elektronike, 3 aparate celulare dhe 189 800 lekë të rinj, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi M. K., pasi siguronte lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, i ndante në doza, të cilat i shiste më pas, në bashkëpunim me 16-vjeçarin, në zonën e Yzberishtit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.