Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kryesori”.
Operacioni, nga Fast Albania, për kapjen e një shtetasi shumë të kërkuar ndërkombëtarisht.
Kapet dhe arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimin, kreu i një grupi kriminal në fushën e krimeve kundër pasurisë dhe armëmbajtjes pa leje.
Grupi kriminal, me aktivitet në Gjeorgji dhe në vende të tjera.
Vihet në pranga 42-vjeçari që fshihej në Tiranë dhe përdorte pasaportë false, me emrin e një shtetasi ukrainas.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, të zhvilluara dhe të finalizuara nga Fast Albania, në bashkëpunim me homologët dhe me shërbimet e DVP Tiranë, mbrëmjen e djeshme, është finalizuar një tjetër operacion për kapjen e kreut të një grupi kriminal që kryente vjedhje me armë dhe me dhunë, në Gjeorgji dhe në vende të tjera.
Shërbimet e Fast Albania, bazuar në inteligjencën informative, si dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit me homologët e Fast Mali i Zi, kanë lokalizuar në Tiranë, një shtetas shumë të kërkuar ndërkombëtarisht.
Fast Albania ka zhvilluar dhe ka finalizuar me sukses, operacionin policor të koduar “Kryesori”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua përkohësisht, me qëllim ekstradimin drejt Gjeorgjisë, shtetasi gjeorgjian Mindia Lavasogli, 42 vjeç.
Mindia Lavasogli (Goradze) strehohej në Tiranë, dhe akuzohet si kreu i një grupi kriminal të dhunshëm, me aktivitet kryesisht në krimet kundër pasurisë, në Gjeorgji dhe në vende të tjera.
Gjykata e Kutaisi-t, Gjeorgji, me vendimin nr. 1/532-16, të datës 20.06.2018, e ka dënuar këtë shtetas, me 12 vjet burgim, për veprat penale “Pengimi i veprimtarisë profesionale të gazetarit, kryer me anë të kanosjes”, “Grupi kriminal” etj.
Vijon bashkëpunimin me homologët, me qëllim ekstradimin e shtetasit Mindia Lavasogli, për të vuajtur dënimin.