Raporti ditor i ngjarjeve, 3 shkurt 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia e Shtetit-Vijon zbatimi i planit operacional policor, mbarëkombëtar, të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.Policia ka çmontuar dhe sekuestruar disa kamera të tjera që ishin vendosur në kundërshtim me ligjin, në disa qarqe të vendit, si dhe janë iniciuar hetime të thelluara për disa shtetas, për veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.  

-Në qarkun Korçë, në vijim të fazës së pestë, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 6 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin. Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, 6 shtetas. Deri tani, në këtë qark, janë çmontuar dhe sekuestruar në total 54 kamera dhe janë iniciuar hetime të thelluara për 20 shtetas.

-Në qarkun Vlorë, në vijim të fazës së tretë, Policia ka sekuestruar 10 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin, në Vlorë dhe në Delvinë. Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, 4 shtetas. Deri tani, në këtë qark, janë çmontuar në total 26 kamera.

-Në qarkun Durrës, në vijim të fazës së katërt, Policia ka sekuestruar 7 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin. Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, 3 shtetas.Vijon puna hetimore, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit të kamerave të vendosura në kundërshtim me ligjin.

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Shitjet”, sekuestrohen steka me cigare, lëndë piroteknike dhe mallra të tjera të kontrabanduara.Tregtonte në dyqanin e tij, steka me cigare të kontrabanduara, kapet si rezultat i kontrolleve dhe vihet në pranga, 44-vjeçari.Në hetim, pronari i një dyqani tjetër, pasi dhe ai u kap duke tregtuar mallra të kontrabanduara.Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës vijojnë kontrollet në subjekte të ndryshme tregtare në qark, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ekonomike. Si rezultat, u konstatuan 2 dyqane të tjera, pronarët e të cilave tregtonin mallra të ndryshme të kontrabanduara.-U arrestua në flagrancë shtetasi E. Xh., 44 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në dyqanin e tij, u gjetën dhe u sekuestruan dhjetëra steka me cigare të dyshuara të kontrabanduara;-U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. S., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në dyqanin e tij, u gjetën dhe u sekuestruan paketa me cigare, pako me fishekzjarre, cigare elektronike dhe parfume, mallra këto të dyshuara të kontrabanduara.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Kontrabanda për mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”.

DVP Tiranë-Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Devices”.Mashtronin shtetas të huaj, përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive, vihen në pranga 5 shtetas.Shpallen në kërkim 5 shtetas të tjerë, pronarë dhe operatorë të subjektit call center në të cilin kryhej kjo veprimtari kriminale.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Devices”.Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: G. Q., 50 vjeç, B. H., 28 vjeç, A. M., 36 vjeç, S. L., 70 vjeç dhe F. C., 44 vjeç, të pestë banues në Tiranë.Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit e huaj: R. F., D. F., U. F., C. N. dhe F. S. (pronarë dhe operatorë të subjektit call center).Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit e arrestuar ishin të punësuar në një subjekt call center dhe në bashkëpunim me shtetasit e shpallur në kërkim, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tiranë/Zbardhen rrethanat e aksidentit me pasojë vdekjen e 18-vjeçarit, që ndodhi mbrëmjen e djeshme, te Fresku.Arrestohet në flagrancë drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin.Në vijim të punës për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme, te Fresku, ku si pasojë e përplasjes së një automjeti me një motor elektrik, mbeti i dëmtuar shtetasi E. S., 18 vjeç (drejtuesi i motorit elektrik), i cili më pas humbi jetën në spital, specialistët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë kryer veprime hetimore për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të drejtuesit të automjetit të përfshirë në këtë aksident.Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në kohën që ka ndodhur aksidenti, automjeti nuk drejtohej nga pronari i tij, shtetasi F. A., por drejtohej nga shtetasi S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë.Nga verfikimet ka rezultuar se shtetasi S. K. ishte i pajisur me lejen përkatëse të drejtimit dhe nuk ka qenë nën efektin e alkoolit në kohën që është përfshirë në aksident.Automjeti dhe motori elektrik u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve, shtetasi S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë-Vihet në pranga autori tjetër i dyshuar për ngjarjen e ndodhur në datën 21 janar, në një lokal, në rrugën “Vaso Pasha”, ku u godit me mjet prerës një 40-vjeçar.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune intensive hetimore, kapën dhe ndaluan shtetasin E. H., 27 vjeç, banues në Tiranë.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi në datën 21 janar 2023, në një lokal, në rrugën “Vaso Pasha”, në bashkëpunim me shtetasin M. H. (i arrestuar disa ditë pas ngjarjes), ka goditur me mjet prerës shtetasin E. D., 40 vjeç.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkodër/Informacion paraprak-Rreth orës 12:00, është shembur pjesërisht mbikalimi i këmbësorëve, në vendin e quajtur “Ura e Bahçallëkut”.Në momentin e shembjes, nuk ka patur në lëvizje automjete dhe as këmbësorë.Në vendngjarje janë shërbimet e Policisë, shërbimet e zjarrfikëses dhe të Entit Pronar të Rrugës, të cilët po punojnë për hapjen e rrugës.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e shkakut të shembjes së mbikalimit.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 26 shtetas janë vënë në pranga, 58 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshdhe penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste-3 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 6 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste-2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 raste 1 falsifikimit të dokumenteve, me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit, Policia vijon punën.

Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i krimeve kompjuterike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Për veprat penale dhe objekt kalimin e paligjshëm të kufirit, janë evidentuar 3 raste – 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 12 raste, 7 prej tyre dhe autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon punën Policia, ndërsa për rastet e tjera-4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste- 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste i veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 4 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 4 shtetas të vënë në pranga; 2 raste në fushën e veprave penale të mosbindjes ndaj punonjësit të Policisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 rast i “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me 2 shtetas të vënë në pranga. Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Në të gjithë vendin ka ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 4 të tjerë janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 5 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.