Berat – Kapet një person në kërkim

Berat

Si rezultat i mirëkoordinimit me Policinë e Korçës, lokalizohet, kapet në Berat dhe vihet në pranga një 25-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Perimetri 187”, pasi më datë 01.08.2022, transportoi 6 emigrantë, për të kaluar kufirin në kundërshtim me ligjin.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të Beratit, si rezultat i kontrolleve në akse rrugore, si dhe i bashkëpunimit me Policinë e Korçës, ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim LL. Z., 25 vjeç, banues në Kuçovë, i cili u kap teksa drejtonte automjetin, i papajisur me leje drejtimi.

25-vjeçari ishte i kërkuar në kuadër të operacionit “Perimetri 187”, të finalizuar nga DVP Korçë, pasi në bashkëpunim me 2 shtetas të vënë në pranga, transportoi 6 emigrantë, për të kaluar kufirin në kundërshtim me ligjin. Ky shtetas më datë 01.08.2022, braktisi automjetin me të cilin transportonte emigrantët, pasi kishte shkaktuar një aksident me dëme materiale, teksa po i shmangej shërbimeve të Policisë.

Ndaj shtetasit LL. Z., Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.