Elbasan – Finalizohet faza e dhjetë kombëtare e planit operacional “Fijet”

Elbasan

Finalizohet në qarkun e Elbasanit, faza e dhjetë kombëtare e planit operacional të koduar “Fijet”, të iniciuar nga DPPSH.

Deri më tani, në këtë qark, janë çmontuar 37 kamera dhe janë iniciuar hetimet e thelluara për 10 shtetas për vendosjen e këtyre kamerave, në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatet e Policise në varësi të saj, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si edhe mbështetur nga inteligjenca informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave në qytetet e Elbasanit, Gramshit dhe Peqinit, me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si edhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të këtyre kamerave, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.

-Gjatë fazës së dhjetë kombëtare, të këtij plani operacional, në Elbasan, në lagjet “5 Maji”, “Sul Paprri”, “Syrja Dylgjeri” dhe “Çlirimi”, u çmontuan 28 kamera dhe u iniciuan hetimet e thelluara, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, për 5 shtetas, konkretisht për: D. Rr., I. B., H. B., K. Xh. dhe A. I.

-Plani operacional ka vijuar në Gramsh, ku u çmontuan dhe u sekuestruan 4 kamera të vëna në kundërshtim me ligjin, dhe u iniciuan hetimet për shtetasit: R. D., S. Xh. dhe A. Ç., si dhe në qytetin e Peqinit, ku u çmontuan 5 kamera dhe u iniciuan hetimet për shtetasit H. Z. dhe E. Xh.

Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan,vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.