DVP Korçë/Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll arrestuan në flagrancë shtetasin I. C., 31 vjeç, banues në fshatin Çetë, Devoll, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë, jashtë banesës së tij, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, si rezultat i veprimeve procedurale të kryera në kuadër të fazës së gjashtë të operacionit policor të koduar “Restart”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen Z. K., 39 vjeçe, banuese në fshatin Pirg, Maliq, për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, pasi dyshohet se ka kanosur dhe fyer, nëpërmjet telefonit, një shtetase tjetër.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. M., 59 vjeç, banues në fshatin Blacë, Pogradec, për veprën penale “Prerja e drurëve dekorativë dhe frutorë”, pasi dyshohet se për motive të dobëta i ka dëmtuar një shtetasi tjetër, 100 pemë frutore.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen K. P., banuese në Korçë, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, pasi në lagjen nr. 11, Korçë, në biznesin e saj bar-restorant, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.