Berat
Goditet një rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza, arrestohet në flagrancë 47-vjeçari që ushtronte këtë veprimtari kriminale. Sekuestrohet një sasi lënde narkotike heroinë, e ndarë në doza.
Të arrestuarit iu gjetën në banesë, mjet prerës, armë e ftohtë dhe sende të tjerë të kundërligjshme.
Shërbimet e Policisë së Beratit, të mbështetura nga inteligjenca informative, për një rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza, në kuadër të punës së vazhdueshme operacionale, kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, kanë goditur një rast të shpërdarjes në doza, të lëndës narkotike heroinë.
Si rezultat, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Berat vunë në pranga shtetasin Z. Z., 47 vjeç, banues në Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. 47-vjeçari u kap në flagrancë në lagjen “30-vjetori”, teksa shpërndante një sasi lënde të dyshuar narkotike heroinë, të ndarë në doza.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u ushtrua kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me dozat e lëndës narkotike, edhe 1 mjet prerës (thikë), 1 përforcues grushti, një sasi metadoni dhe një kartëmonedhë e dyshuar false.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.