Policia Rrugore e Beratit/Kontrolle të shtuara në të gjitha akset e qarkut, me pajisjet e teknologjisë bashkëkohore, për të rritur parametrat e sigurisë rrugore.
Arrestohen në flagrancë 5 drejtues mjetesh dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Njëri nga drejtuesit e arrestuar tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore, për t’iu shmangur masës administrative, pasi e drejtonte automjetin, nën efektin e alkoolit.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Beratit kanë intensifikuar kontrollet dhe monitorimet në akset rrugore të qarkut, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugë. Monitorimi është kryer përmes pajisjeve të logjistikës bashkëkohore, që janë tashmë në shërbim të Policisë Rrugore.
Si rezultat, gjatë një jave janë vënë në pranga 5 drejtues mjetesh dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë, për shkelje të ndryshme rregullave të qarkullimit rrugor dhe për drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt.
Në vijim të veprimeve procedurale, njëri nga drejtuesit, shtetasi N. M., 48 vjeç, banues në Kuçovë, u vu në pranga, pasi duke qenë se e drejtonte automjetin, nën efektin e alkoolit, tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore, për t’iu shmangur masës administrative.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.