DVP Berat – Vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht 5 të tjerë

DVP Berat/Punë operacionale në të gjithë territorin e qarkut, për të evidentuar dhe goditur paligjshmëritë, si dhe për të vënë në pranga shtetasit e kërkuar për vepra të ndryshme penale.

✅ Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i kërkuar për vjedhje, në kuadër të operacionit “Stuff”;

✅ goditet një rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, si dhe

✅ një rast i mbajtjes së lëndës narkotike kanabis, me qëllim shpërndarjen.

Për këto veprimtari kriminale, u vunë në pranga 2 shtetas dhe janë në hetim 5 të tjerë.

Sekuestrohen 4 pajisje elektronike dhe një sasi lënde narkotike kanabis.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat dhe ato të DVP Berat vijojnë kontrollet, në akse dhe në ambiente të ndryshme, në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, në cilëndo formë të shfaqjes së tyre, si dhe për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

-Si rezultat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në vijim të veprimeve operacionale në kuadër të operacionit “Stuff”, të zhvilluar më 19 janar 2023, për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht, 14 vjedhje të ndodhura në Berat, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit M. M., 38 vjeç, banues në Berat, pasi nga veprimet hetimore rezultoi se, në bashkëpunim me shtetasin R. N. (tashmë të arrestuar), gjatë vitit 2022, kanë vjedhur shuma parash, sende me vlerë dhe vegla pune, në disa banesa dhe subjekte, në zona të ndryshme të qarkut të Beratit.

-Në vijim, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një lokal në lagjen “10 korriku”, u gjetën dhe u sekuestruan, 4 pajisje elektronike (tablet dhe kompjutera) që dyshohet se i shërbenin organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, në këtë ambient. Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi M. Sh., 59 vjeç, administrator i këtij lokali, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. Z., 62 vjeç, pronar i këtij lokali.

-Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: L. N., 31 vjeç, S. T., 28 vjeç, A. Z., 20 vjeç dhe M. B., 23 vjeç, të katërt banues në Berat, pasi nga kontrollet fizike të ushtruara ndaj tyre, dhe në automjetin me të cilin ata lëviznin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.