Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku mirëpriti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorin e Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm Denion Meidani, i shoqëruar nga Keshilltari Rajonal i Antiterrorit për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Europën Juglindore, në Ambasadën e SHBA-së në Shqipëri Joseph R. Baldwin dhe nga Këshilltari Ligjor i OPDAT në Ambasadën e SHBA-së në Shqipëri, Bledar Bashanoviq.
Qëllimi i takimit ishte prezantimi i z. Baldwin, si Këshilltari i ri, për Antiterrorizmin, për Europën Juglindore në Ambasadën e SHBA-së në Shqipëri, si dhe zgjerimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të Policisë së Shtetit, me partnerët e misionit OPDAT, në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe intensifikimi i mbështetjes për proceset e riatdhesimit dhe rehabilitimit të shtetasve shqiptarë, të kthyer nga zonat e konfliktit, Siri dhe Irak.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pasi falenderoi z. Baldwin, për mbështetjen e deritanishme dhe të vazhdueshme të misioneve OPDAT dhe ICITAP, dhe të Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri, për Policinë e Shtetit, shprehu me bindje se Policia e Shtetit e konsideron luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si një prioritet për të cilin strukturat e specializuara do të përkushtohen tërësisht, për përmbushjen me sukses të detyrimeve dhe përgjegjësive që rrjedhin nga Strategjia Kombëtare dhe Planet e Veprimit në ketë fushë. Gjithashtu, Drejtori konfirmoi se bashkëpunimi me Qendrën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm do të rritet, pasi Policia e Shtetit bashkëndan me këtë qendër, misionin madhor të garantimit të rendit dhe sigurisë publike.
Drejtori i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstemizmit të Dhunshëm, z. Meidani shprehu vlerësimin për angazhimin dhe koordinimin e përpiktë të Policisë së Shtetit, veçanërisht përmes Drejtorisë së Antiterrorit, në gjithë fazat e rikthimit, rehabilitimit, monitorimit dhe ri-integrimit të shtetasve shqiptarë, të kthyer nga zonat e konfliktit. Z. Meidani theksoi se bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me QKEDH-në, ka qenë i pandërprerë nga faza e parë 24-orëshe në protokollin pas riatdhesimit, deri në prag të fazave të risocializimit.
Gjithashtu, Këshilltari i ri Ligjor për Antiterrorizmin pranë OPDAT, z. Baldwin shprehu se lidhur me bashkëpunimin dhe strategjinë ndërsektoriale, të zgjedhur dhe të zbatuar nga Shqipëria, mbështetja e SHBA-së, përtej fazave operacionale, synon të përforcojë edhe kapacitetet institucionale, mekanizmat referues dhe shkëmbimin e informacionit, pa lënë mënjanë mbështetjen për forcimin e shoqërisë civile, për të ndërhyrë gjerësisht në komunitet.
Më tej, z. Baldwin siguroi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, se OPDAT nëpërmjet Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri, do të vazhdojnë të jenë në mbështetje te Policisë së Shtetit dhe të Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhushëm.