DVP Korçë
Vijojnë hetimet e thelluara, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Operacioni, pas hetimeve te thelluara 6-mujore në kuadër të tre fazave të operacionit policor “Perimetri” të zhvilluara në muajt korrik-gusht 2022, si rezultat i të cilave u arrestuan më herët nga Policia 6 shtetas.
Shkon në 8 numri i të ndaluarve dhe 2 i të shpallurve në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, kanë vijuar punën me veprime të thelluara hetimore të zhvilluara për një periudhë 6-mujore, në lidhje me ngjarjet e ndodhura në muajt korrik-gusht 2022, si rezultat i të cilave janë finalizuar operacionet policore “Perimetri 183; 185; 187” dhe u vunë në prangat e Policisë, 6 shtetas, të cilët u kapën duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm.
Falë këtyre veprimeve, u bë e mundur dokumentimi me fakte ligjore dhe vënia para përgjegjësisë penale, e dy personave të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Konkretisht Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim për shtetasit:
– H. M., 33 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi, Maliq;
– E. Xh., 23 vjeç, banues në Korçë.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Ll. Z., 25 vjeç, banues në Berat dhe S. L., 21 vjeç, banues në Korçë.
Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha të ndryshme kohore, kundrejt fitimit 300-500 euro për person, kanë ndihmuar emigrantë të paligjshëm, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme me qëllim transportimin e tyre, drejt vendeve të BE-së.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 automjete dhe 15 telefona celularë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të përsonave të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.