Shijak – Finalizohet operacioni policor i koduar “Periferia”

Operacioni, për të goditur dhe zbardhur 4 raste vjedhjesh.

Vidhnin vazhdimisht, në fshatra të ndryshëm të qarkut, Policia identifikon 3 bashkëpunëtorët. 2 prej tyre u kapën dhe u arrestuan në flagrancë, vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak, në vijim të punës hetimore-policore, për të parandaluar dhe goditur vjedhjen e pronës dhe pasurisë së qytetarëve, për zbardhjen e rasteve të ndodhura më parë, si dhe për nxjerren e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Periferia”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan shtetasit:

-J. D., 35 vjeç, banues në Sukth dhe një 17-vjeçar, banues në Shijak. Këta shtetas u kapën në flagrancë duke vjedhur pajisje të ndryshme, në një biznes (servis automjetesh), në Xhafzotaj.

Në kuadër të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi D. A., 29 vjeç, banues në Vorë, për kapjen e të cilit, vijon puna. Gjithashtu, rezultoi se të tre këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të 3 vjedhjeve të ndodhura në datat 9 dhe 13 janar, në fshatrat Xhafzotaj dhe Vlashaj, ku janë vjedhur sende dhe pajisje në ambiente (banesa dhe magazina) në pronësi të shtetasve të ndryshëm.

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.