DVP Korçë – Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale

Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin E. S., 41 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi në lagjen nr. 10, Korçë, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka aksidentuar shtetasen M. V., 57 vjeçe, banuese në Korçë, e cila mori mjekim në spitalin e Korçës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shtetasi E. S., pas kryerjes së testit të alkoolit, rezultoi se e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: A. R., 44 vjeç, banues në Pogradec për veprën penale “Përndjekja”, dhe A. K., 33 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”. Shtetasi A. R. dyshohet se ka përndjekur motrën e shtetasit A. K., i cili për këtë arsye ka goditur fizikisht shtetasin A. R., duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.

Më datë 17.01.2023, në Komisariatin e Policisë Korçë, ka bërë kallëzim shtetasi E. Xh., i cili ka deklaruar se në lagjen nr. 9, Korçë, ka gjetur të hapur derën e banesës së tij, në të cilën ishin vjedhur disa bizhuteri floriri dhe një shumë lekësh. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Materialet i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.