Njohuritë e para mbi edukatën rrugore dhe kulturën për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor fitohen në bankat e shkollave.
Në kuadër të bashkëpunimit Polici-Shkollë, si dhe të fushatës ndërgjegjësuese për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, investimin në dije dhe njohuritë e duhura tek fëmijët si përdorues rruge, specialistët e Policisë Rrugore të Tiranës zhvilluan një orë mësimore mbi njohjen e sinjalizimit rrugor nga nxënësit e klasave të para në shkollën “World Academy of Tirana” në Lundër, Tiranë.
Në klasat e para të kësaj shkolle zhvillohen programe të ndryshme mbi mirëqenien fizike, sociale e emocionale, si dhe një rëndësi e veçantë i kushtohet sigurisë në tërësi.
25 nxënës, të cilët përfaqësojnë kultura dhe vende të ndryshme si Gjermania, Polonia, India apo Turqia u njohën për rreth një orë nga përfaqësuesit e Policisë Rrugore me disa nga sinjalet rrugore bazike, mënyrën e sjelljes së tyre në raport me to, si dhe rëndësinë që ka njohja me rregullin dhe edukatën rrugore në moshën e tyre, me qëllim formimin e një brezi jo vetëm të edukuar me standardet më të mira të sigurisë në rrugë, por edhe garantimin e sigurisë së tyre në të ardhmen, si përdorues rruge.
Punonjësit e Policisë Rrugore u kanë shpërndarë vogëlushëve materiale sensibilizuese dhe dhurata simbolike të Policisë Rrugore, si dhe u janë përgjigjur interesit të shtuar të fëmijëve në lidhje me çështje dhe aspekte të ndryshme të sigurisë dhe shërbimit të Policisë Rrugore.