Raporti ditor i ngjarjeve, 12 janar 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Devoll/Finalizohet operacioni policor i koduar “Menkulas”.Zbardhet ngjarja e ndodhur pasditen e djeshme, në fshatin Menkulas, ku një shtetas tentoi të vriste me mjet të fortë (sëpatë), një 73-vjeçar.Falë veprimeve hetimore të Policisë u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar i ngjarjes, e cila fillimisht u raportua si ngjarje aksidentale.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, pasditen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Bilishtit, kishte shkuar për ndihmë mjekësore një shtetas i dëmtuar në kokë, menjëherë kanë shkuar në spital, me qëllim verifikimin e rastit. Shtetasi i dëmtuar V. B., 73 vjeç, banues në fshatin Menkulas, Devoll, ka deklaruar fillimisht përpara oficerit të policisë gjyqësore se ishte rrëzuar aksidentalisht, në oborrin e banesës së tij.Falë hetimeve të thelluara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Menkulas”, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Nga provat e siguruara nga hetimi rezultoi se shtetasi V. B., 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, për motive të dobëta, kishte goditur me mjet të fortë (sëpatë), në kokë, 73-vjeçarin, i cili do të transportohet nga spitali i Korçës në Spitalin e Traumës Tiranë, për mjekim të specializuar.Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Tepelenë/Finalizohet brenda 24 orëve, operacioni i dytë për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.Operacioni policor i koduar “Road Guard 54” u zhvillua nga strukturat e DVP Gjirokastër dhe Komisariati i Policisë Tepelenë.U kap në flagrancë duke transportuar, kundrejt fitimit, 8 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihet në pranga 33-vjeçari.Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe 1 aparat celular.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, Komisariatin e Policisë Tepelenë dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, mbështetur dhe në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Road Guard 54″, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:- B. Rr., 33 vjeç, banues në Vlorë.Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në hyrje të qytetit të Tepelenës, në vendin e quajtur “Agjencia”, duke transportuar me automjetin tip “Seat”, në drejtim të Tiranës, 8 emigrantë nga vendet MENA, kundrejt shumës 250 euro për person.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe një aparat celular.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

DVP Dibër/Vihen në pranga 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër kapën dhe ndaluan shtetasin në kërkim S. Ç., 33 vjeç, banues në Dibër, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Dibër arrestuan në flagrancë shtetasin E. C., 35 vjeç, banues në Dibër, pasi gjatë  kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kokainë.

-U referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, për vlerësim, pasi shtetasi I. E., 48 vjeç, gjatë punës në një subjekt minerar, është dëmtuar aksidentalisht në këmbë dhe për këtë shkak, merr ndihmën mjekësore në spital. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 76 shtetas, konkretisht: 20 shtetas janë vënë në pranga, 52 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 4 shtetas të vënë në pranga dhe me 6 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 5 raste, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe me 3  shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre mbetur në tentativë, me 1 shtetas të vënë në pranga, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 7 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të vënë në pranga dhe me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprimtarive kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik, me me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon punën Policia.

Për veprat penale me objekt kalimin e paligjshëm të kufirit, janë evidentuar 2 raste me 2 shtetas të vënë në pranga.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 11 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon punën Policia, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 14 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 13 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Moskallëzimi i krimit”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Dhunimi i banesës”, “Braktisja e fëmijëve të mitur” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, me 7 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 rast i veprimtarive të kundërligjshme në fushën e prostitucionit, me 2 shtetase të vëna në pranga dhe me 1 shtetas tjetër të arrestuar dhe 1 rast i veprës penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, si pasojë e të cilave 3 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.