DVP Korçë/Vihen në pranga 2 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin S. J., 62 vjeç, banues në fshatin Shëngjergj, Maliq, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi duke drejtuar në gjendje të dehur, automjetin tip “Ford”, në hyrje të fshatit Pendavinj, Maliq, ka përplasur automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin R. M., duke shkaktuar dëme materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin R. Gj., 23 vjeç, banues në fshatin Belorta, Korçë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi mbrëmjen e djeshme, në një lokal në fshatin Belorta, për motive të dobëta, ka dëmtuar me sende të forta, në sy, një 20-vjeçar, i cili pas mjekimit në spitalin e Korçës, u transportua në Tiranë, për mjekim të specializuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Sh., 19 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj partneres së tij.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Ç., 30 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, pasi në lagjen nr. 2, Pogradec, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka kanosur me fjalë bashkëshorten e tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. P., 44 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi gjatë një konflikti në fshatin Vloçisht, dyshohet së ka goditur me grushte një shtetas tjetër.
Materialet i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.