Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ali Demi”, vizitë në Policinë e Shtetit

Në kuadër të festimeve për përvjetorin e 110-të, jubile të themelimit të Policisë së Shtetit shqiptar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe strukturat e 12 qarqeve kanë iniciuar sot javën “Dyer të hapura për qytetarët”.

Dhjetëra nxënës të shkollës 9-vjeçare “Ali Demi”, vizituan gjatë paradites së sotme, ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ata u mirëpritën nga drejtues të sektorëve dhe të departamenteve të ndryshme, për punën e të cilave ata shfaqën interes dhe në një atmosferë tejet miqësore, diskutuan për një sërë tematikash që prekin sigurinë e tyre, të familjarëve dhe të bashkëmoshatarëve të tyre. Në kuadër të 110-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, punonjësit e DPPSH-së i informuan nxënësit në terma përmbledhëse, për historikun e Policisë së Shtetit dhe për momentet kyçe që e kanë shënjuar atë.

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ali Demi”, shprehën mirënjohjen e tyre për mundësinë e dhënë në këtë 110-vjetor të themelimit të Policisë së Shtetit, për të parë nga afër ambientet e DPPSH-së, si dhe vlerësuan praninë e shtuar gjatë këtij viti, të oficerëve të sigurisë në shkolla, të punonjësve të Policisë në ambientet përreth, si dhe në çdo aks rrugor gjatë fillimit dhe mbylljes së procesit mësimor ditor.

Aktivitetet gjatë javës “Dyer të hapura për qytetarët”, në kuadër të 110-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, do të vijojnë.

https://youtu.be/81LD_M6I5-Q