Raporti i ngjarjeve për 48 orët e fundit, 31 dhjetor 2022 – 1 janar 2023

Raporti i ngjarjeve për 48 orët e fundit, Policia e Shtetit, 31 dhjetor 2022 – 1 janar 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Elbasan/Kontrolle të shtuara, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, për kapjen e shtetasve në kërkim. Kapet dhe vihet në pranga 46-vjeçari i shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje narkotikësh. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Elbasan, të mbështetura nga inteligjenca informative, mbi vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar, menjëherë kanë organizuar punën, kanë lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim Neritan Bora, 46 vjeç, banues në fshatin Mashan, Gramsh. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 14.12.2021, e ka dënuar këtë shtetas, me 5 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet e 3 muaj.  Ky shtetas, gjatë vitit 2021, ka ushtruar aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në qytetin e Elbasanit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Vlorë/Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Mbante armë zjarri kallashnikov, falë inteligjencës informative dhe reagimit në kohë nga Policia,  lokalizohet dhe vihet në pranga 24-vjeçari. Sekuestrohet 1 armë zjarri kallashnikov. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjencës informative se një shtetas  mbante armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë lokalizuar dhe vënë në pranga shtetasin V. A., 24 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient, në lagjen “24 Maji”, ku ky shtetas punonte, u gjet një armë zjarri kallashnikov, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 8 janë shpallur në kërkim, 15 janë arrestuar në flagrancë dhe 72 po procedohen në gjendje të lirë.  

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. 

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste, me 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 të shpallur në kërkim.   

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste, 1 rast me 1 autor të arrestuar dhe rastet e tjera me 15 autorë të dyshuar që po procedohen në gjendje të lirë.   

Në fushën e ndërtimit pa leje janë ndërtuar 6 raste, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.  

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 rast me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 rast me 1 autor ende të paidentifikuar.  

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 19 raste, prej tyre 11 raste janë me autorë ende të paidentifikuar dhe 8 raste me 2 autorë të vënë në pranga dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë evidentuar gjithashtu 2 raste të vjedhjes me dhunë, 1 rast me 1 autor të vënë në pranga, 2 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim, ndërsa për rastin tjetër po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.  

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 6 raste, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.  

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 10 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 16 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, 1 rast i “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe 2  raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”.  

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me nga 1 shtetas të arrestuar për secilin rast.  

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 9 aksidente, si pasojë e të cilëve janë dëmtuar 10 shtetas.  

Për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 14 të tjerë.   

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.