Durrës – Policia e Durrësit godet një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla

Në pranga dy shtetas që shpërndanin lëndën narkotike.

Sekuestrohen doza lënde narkotike, thikë, kaçavidë dhe një maskë.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga ana e Strukturave Policore se në lagjen Nr. 5 të qytetit të Durrësit dy persona shpërndanin lëndë narkotike, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe gjatë kontrollit kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit J. R., 18 vjeç dhe E. XH., 16 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit fizik Policia u gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale lëndë narkotike të dyshuar marjuanë, e ndarë në doza, me qese farmaceutike të gatshme për shpërndarje, një thikë, kaçavidë dhe një maskë në formë kapuçi.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.