Finalizohet operacioni “Derveni 2”, në pranga një shtetas.
Sekuestrohen 19 kg Canabis Sativa.
Efektivët e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Derveni 2”.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Strukturat Policore se një shtetas në fshatin Derven ushtron veprimtari të paligjshme në fushën e lëndëve narkotike, menjëherë u organizuan Shërbimet duke e goditur këtë rast dhe arrestuar në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, shtetasin A. Gj., 50 vjeç.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale rreth 19 kg lëndë narkotike e dyshuar Canabis Sativa, tre aparate celularë dhe DVR.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme.