Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, bashkëbisedime me Drejtoren Ekzekutive të EUROPOL-it znj. Catherine de Bolle dhe me Komisionerin Europian për Çështjet e Sigurisë dhe Emigracionit Z. Dimitris Avramopoulos

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, gjatë Konventës së Drejtoreve të Policive Europiane në ambientet e Europol-it në Hagë, pati bashkëbisedime të veçanta me Drejtoren Ekzekutive të EUROPOL-it znj. Catherine de Bolle dhe me Komisionerin Europian për Çështjet e Sigurisë dhe Emigracionit Z. Dimitris Avramopoulos.

Komisioneri Europian z. Avramopoulos dhe Drejtorja Ekzekutive e EUROPOL-it znj. Catherine de Bolle përgëzuan Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit z. Veliu për punën dhe rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën ndaj krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigrimit të paligjshëm.

Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu ka siguruar z. Avramopoulos dhe znj. De Bolle se Policia e Shtetit është e vendosur në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivmit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, të emigracionit të paligjshëm, në goditjen e grupeve kriminale dhe në sekuestrimin e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale, duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët e vendeve të BE-së e më gjerë, me mbështetjen edhe nga EUROPOL-i.

Rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit gjatë punës së saj, por dhe operacionet mjaft të rëndësishme të zhvilluara me partnerët për shkatërrimin e grupeve kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta, trafikimit të qënieve njërëzore nëpërmejt falsifikimit të dokumentave dhe të goditjes së elementëve të rrezikshëm në fushën e terrorizmit, tregojnë më së miri se jemi në rrugën e duhur, ka theksuar ndër të tjera Drejtor Veliu gjatë takimit me dy zyrtarët e lartë.