Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Lezhë – Bashkëpunimi me qytetarët dhe reagimi i shpejtë dhe profesional i Policisë vë në pranga 21-vjeçarin, i cili kryente manovra të rrezikshme me mjetin e tij duke qëlluar në ajër me armë zjarri. Nga puna e mirëorganizuar e Komisariatit të Policisë Lezhë, si dhe bazuar në informacione policore se një shtetas kryente manovra të rrezikshme me mjetin e tij dhe qëllonte në ajër me armë zjarri duke u konfliktuar për këtë shkak edhe me disa persona të tjerë është ndërhyrë në fshatin Pllanë, ku janë arrestuar në flagrancë shtetasit (babë e bir) F. N., 52 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë, për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe D. N., 21 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, ” Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit E. N., 37 vjeç dhe B. B., 26 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje ” dhe “Kanosja”. Shtetasi D. N. dyshohet se në fshatin Pllanë, Lezhë ka kryer manovra të rrezikshme me mjetin e tij, si dhe ka qëlluar në ajër me armë zjarri, duke kryer më pas veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, ndër to edhe fshehja e armës së zjarrit, e cila u gjet nga forcat policore dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në lidhje me këtë shkak është konfliktuar gjithashtu edhe nga shtetasit B. B. dhe E. N. Gjithashtu edhe nga kontrolli i ushtruar në banesën e babait të tij, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një fitil zjarrpërcjellës. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.
Durrës – Telefonata e qytetarit në 112 dhe reagimi në kohë i policisë çon në pranga 32-vjeçarin që shpërndante lënde narkotike në doza të vogla. Sekuestrohen doza lënde narkotike dhe grirëse për lëndën narkotike, armë e ftohtë dhe vlera monetare false. Në Sallën Operative të DVP Durrës, në numrin unik 112 ka ardhur një telefonatë nga një qytetar që denonconte se një shtetas në qytetin e Durrësit shpërndante lëndë narkotike. Policia e Durrësit organizoi menjëherë shërbimet, duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit L. H., 32 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Falsifikimi i monedhave” dhe ” Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar, shtetasit të mësipërm iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provave materiale doza dhe grirëse lënde narkotike, armë e ftohtë (thikë) dhe vlera monetare (euro), të dyshuara të falsifikuara. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës falënderon qytetarin për denoncimin e rastit dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 apo “Komisariatin Dixhital” çdo rast të paligjshmërisë, duke ju garantuar ruajtjen e anonimatit, vlerësimin maksimal të çdo informacioni dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.
Mallakastër – Policia godet 1 rast të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen 29 kg Kanabis, arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, si edhe në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mallakastër ka goditur një rast të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, në fshatin Usojë. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit M. Ç. në Usojë, Mallakastër u gjetën dhe u sekuestruan 29 kg lëndë narkotike kanabis. Gjatë kontrollit, në banesën ku u gjet lënda narkotike, ndodhej edhe shtetasi A. S., i cili dyshohet si bashkëpuntor me shtetasin M.Ç në këtë veprimtari kriminale. Në këto kushte, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasit M. Ç,. 51 vjeç, banues në Mallakastër dhe A. S., 45 vjeç, banues në Fier. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Maliq – Shpërdoroi detyrën dhe posedonte pa leje në banesë armë gjahu, arrestohet në flagrancë kryeplaku i fshatit Peshtan. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit O. Ç., 55 vjeç, (me detyrë kryeplak i fshatit Peshtan, në Njësinë Administrative Moglicë). Ky shtetas dyshohet të ketë shpërdoruar detyrën, pasi gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë kanë ushtruar në një zonë pyjore, në fshatin Peshtan, gjetën të kultivuara bimë të dyshuara narkotike. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e kryeplakut, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë gjahu çifte, të cilën e posedonte pa leje. Nga ana e Policisë po punohet për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme hetimore.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 90 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 7 janë ndalur dhe 62 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Tiranë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Vrasja”, 1 në Fier dhe 1 në Dibër.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, konkretisht: 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Berat dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si edhe janë plotësuar 10 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në qarku Lezhë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Lezhë dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 4 në Tiranë dhe 1 në Korçë.
Janë evidentuar dhe proceduar 10 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 3 në Tiranë, 2 në Elbasan, 3 në Berat, 1 në Lezhë dhe 1 në Dibër.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.