Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Border”
DVP Dibër
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Border”, i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër dhe Policia Kufitare, në bashkëpunim me Prokurorinë Dibër.
Kontrabandonin bagëti të imëta dhe të trasha, nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Shqipërisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, me qëllim tregtimin e tyre, vihen në pranga 4 shtetas.
Sekuestrohet furgoni me të cilin transportoheshin bagëtitë dhe 64 krerë bagëti të pamatrikulluara.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Bllatë dhe Prokurorinë Dibër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kontrabandës me mallra, pas hetimit disamujor, mbështetur dhe në inteligjencën informative, kanë goditur një tjetër rast, në kuadër të operacionit policor të koduar “Border”.
Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
D. E., 30 vjeç, A. D., 34 vjeç, B. Z., 27 vjeç dhe N. Z., 34 vjeç, banues në Dibër.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin bagëtitë e imëta dhe të trasha, në Maqedoninë e Veriut, i kalonin ato në drejtim të Shqipërisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, në Bllatë, i mbanin fillimisht në stallat e tyre dhe më pas i shisnin kundrejt shumave të ndryshme monetare.
Gjatë kontrollit të ushtruar në stallat në pronësi të këtyre shtetasve, u gjetën 64 krerë bagëti të imëta dhe të trasha, të pamatrikulluara, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u bllokuan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin furgon që shërbente për transportimin e tyre.
Në vijim të hetimeve janë dokumentuar me prova ligjore 5 raste të kontrabandimit të bagëtive, të kryera nga këta shtetas.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Transportimi, tregëtimi i mallrave që janë kontrabandë” , të kryera në bashkëpunim.