Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 27 shtator 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia e Shtetit – Operacion ndërkombëtar antidrogë i koduar “KUITO”. Operacioni nga Policia e Shtetit, Policia greke dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, i koordinuar nga DEA Amerikane. Sekuestrohen 137 kg lëndë narkotike kokainë. Dy persona në pranga dhe një është shpallur në kërkim. Në kuadër të luftës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike dhe operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara me partnerët, Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër operacion ndërkombëtar për këtë qëllim. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Autoritetet Ligjzbatuese Greke në koordinim me Zyrën e DEA-s në Athinë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë finalizoi me sukses operacionin ndërkombëtar “KUITO”. Policia Shqiptare organizoi  dorëzimin e kontrolluar pas miratimit dhe lejimit nga Autoritetet Greke, procedura të cilat filluan nga pala shqiptare që në muajin gusht 2019 dhe përfunduan sot më datë 27.09.2019.  Gjatë kësaj periudhe u realizuan disa takime operacionale nga Policia e Shtetit me Autoritetet Policore Greke dhe Zyrën e DEA-s. Këto takime u realizuan në Tiranë dhe në Athinë për shkëmbimin e informacioneve dhe mbarëvajtjen e operacionit që do zhvillohej për goditjen e aktivitetit kriminal të personave që trafikonin lëndë narkotike të llojit kokainë nga Ekuadori në Greqi dhe më pas në Shqipëri, nëpërmjet rrugës detare. Në realizimin e këtij operacioni, për dorëzimin e kontrolluar janë zbatuar të gjitha teknikat speciale të hetimit,  të miratuara me ligjin nr. 8920., datë 11.07.2002, për Ratifikimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar ndërkombëtar dhe dy protokolleve shtesë të saj. Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, u aplikuan me profesionalizëm dhe sukses të plotë të gjitha format dhe metodat speciale te hetimit, të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Në përfundim të këtij operacioni, në funksion të dorëzimit të kontrolluar u sekuestrua 137 kg lëndë narkotike, kokainë dhe u arrestuan shtetasit A. B., 53 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të dy  banues në Durrës, si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. M. Gjatë hetimeve të deritanishme rezulton se këta shtetas ishin pritësit e kësaj lënde narkotike në Durrës. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Portin e Durrësit, duke shfrytëzuar faktin që kishin akses në hyrje dhe dalje në Port bënë të mundur nxjerrjen e një sasie të lëndës narkotike nga kontenieri ku ndodhej në sheshin e kontenierëve dhe dërgimin e saj në një zonë të sigurtë që ata mendonin, por që është sekuestruar nga Policia gjatë operacionit. Të gjitha veprimet e kryera nga shtetasit e mësipërm ishin të mbikëqyrura nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilët bënë të mundur sekuestrimin e të gjithë lëndës narkotike, arrestimin e dy shtetasve dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, për veprat penale “Trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”. Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vazhdon punën intensive për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet criminal. Gjatë zhvillimit të këtij operacioni morën pjesë Drejtoria Hetimore Qendrore, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, ZQK Interpol Tirana, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë e Durrës dhe Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit Durrës. Finalizimi i këtij operacioni tregon edhe njëherë vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar, si dhe besimin gjithnjë në rritje të partnerëve për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit.Ky operacion i dorëzimit të kontrolluar shënon  një hap cilësor në luftën kundër Krimit të Organizuar. Policia e Shtetit siguron qytetarët se është tërësisht e angazhuar për krijimin e një ambineti sa më të sigurt dhe fton cilindo që të denoncojë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.

 

Tiranë – Finalizohet operacioni “Fraud”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas. Në pranga një shtetas dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim, pasi tentuan të trafikonin në Gjermani një shtetase 20-vjeçare, me qëllim për ta shfrytëzuar për prostitucion. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafiqeve të paligjshme, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, si dhe falë një pune të mirëorganizuar, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po tentonin të trafikonin në Gjermani një shtetase me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas finalizoi me sukses operacionin e koduar “Fraud”, si rezulat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 31 vjeç, lindur dhe banues në Fier.  Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. K. dhe B. B., bashkëpunëtorë të shtetasit A.B. Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasit E. K., B. B. dhe një shtetas tjetër ende të paidentifikuar kishin organizuar trafikimin në Gjermani, me qellim shfrytëzimin për prostitucion, të një shtetaseje 20-vjeçare. Shtetasit E. K. dhe B. B. u shpallën në kërkim dhe në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për identifikimin e personit tjetër të përfshirë në këtë vepër penale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

 

Shkodër – Operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në shpërndarjen e drogave të forta në doza të vogla. Policia arreston në flagrancë 2 shtetas dhe 1 tjetër ndiqet në gjendje të lirë.  Sekuestrohet një sasi lënde narkotike e llojit heroinë. Nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikët në D.V.P Shkodër, pas informacioneve të marra në rrugë operative, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H. 42 vjeç, banues në Shkodër dhe u ndalua shtetasi A. P. 46 vjeç, banues në Shkodër. Gjithashtu ndiqet në gjendje të lirë shtetasja V. P. 43 vjeçe, banuese në Shkodër. Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin shisnin lëndë narkotike heroinë, në lokalet e qytetit të Shkodrës. Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike heroine, e ndarë në doza, një shumë lekësh dhe dy telefona celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 86 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar, 7 janë ndalur dhe 67 po procedohen në gjendje të lirë.

 

Janë ndalur 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

 

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 autor të ndaluar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 6 raste të “Kanosja”, 5 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 raste i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 raste të dhunës në familje, në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 6 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, në të gjithë vendin, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, në qarkun Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 3 në Tiranë, 2 në Berat, 1 në Vlorë dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në qarkun Durrës, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 3 në Tiranë, 1 në Elbasa dhe 1 në Dibër.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.