Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zvillua një ceremoni për vlerësimin e kontributit të çmuar dhënë nga z. Cockram në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të të dy vendeve në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme.
Me rastin e përfundimit të misionit në Shqipëri të z. Paul Cockram, Oficer Ndërlidhës i NCA-së pranë Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i akordoi z. Paul Cockram “Certifikatën për Shërbime të Dalluara”, me motivacionin “Për kontribut të shquar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme, në interes të forcimit të sigurisë publike”.
Gjatë ceremonisë, ku ishin të pranishëm drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe Oficerë të tjerë Ndërlidhës nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Drejtor Veliu ka vlerësuar rolin dhe kontributin e Z. Cockram në forcimin e marrëdhënieve mes dy policive dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
Z. Cockram, gjatë fjalës së tij, falënderoi Drejtor Veliun për bashkëpunimin dhe për certifikatën e akorduar, si dhe e vlerësoi si shumë të frytshme periudhën e qëndrimit si Oficer Ndërlidhës në Shqipëri, bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me Policinë e Shtetit.