Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 9 gusht 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Maliq/Informacion paraprak-Më datë 08.08.2022, rreth orës 21:40, jemi njoftuar se në fshatin Rëmbec, Maliq, gjatë një konfliti për motive të dobëta, ishte plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasi N. S., i cili pasi mbërriti në Spitalin e Korçës, ka ndërruar jetë.Menjëherë pas marrjes të njoftimit, shërbimet e policisë janë nisur drejt vendngjarjes ku bënë të mundur edhe identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, konkretisht shtetasi V. H., që për shkak të dëmtimeve të marra, ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Korçës, me të cilin do të kryen veprimet e mëtejshme procedurale.Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Mat / E kanosi dhe i mori me anë të shtrëngimit një shumë parash, një 20-vjeçari, vihet në pranga autori i dyshuar.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, si dhe në bazë dhe të informacioneve të marra në rrugë operative, bënë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e shtetasit Rr. Ç., 21 vjeç, banues në Elbasan, pasi, dyshohet se më datë 04.08.2022, ky shtetas, me anë të shtrëngimit, i ka marrë një shumë parash shtetasit K. S., 20 vjeç, banues në Burrel dhe e ka kanosur atë se do t’i shpërndante video personale, në rrjete sociale.

Bulqizë / Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të zjarrvënies së qëllimshme, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori, si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen L. M., pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e saj dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe me barishte.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Divjakë-Policia identifikon dhe vë në pranga autorin e dyshuar të zjarrvënies në fshatin Biçukas, Divjakë, ku u dogjën 100 hektarë tokë me bimësi të ndryshme dhe ullinj.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponjat” në DVP Fier, me marrjen e njoftimit për zjarrin e rënë në tokat bujqësore dhe në disa sipërfaqe toke me ullinj, në pronësi të banorëve të fshatit Biçukas, menjëherë kanë shkuar në ndihmë të banorëve të zonës duke punuar me mjete të ndryshme rrethanore, për të bërë të mundur neutralizmin e flakëve, që për shkak të erës u përhapën me shpejtësi në sipërfaqe të mëdha toke, pasi në shumë drejtime zjarrfikësja nuk futej dot për shkak të terrenit të vështirë.Në vijim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. T., 60 vjeç, banues në Biçukas, Divjakë, në fshatin Biçukas, pasi dyshohet se duke djegur barëra të thatë, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe është përhapur deri në fshatrat Shën e Premte dhe Germenj, ku për pasojë janë djegur qindra rrënjë ullinj, një sipërfaqe madhe toke me shkurre dhe pemë frutore, si edhe janë rrezikuar banesat e banorëve të këtyre fshatrave.

Fier/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim Rei Lala alias Klajdi Gega, 40 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 05.10.2021, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja”.

Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasve:

-A. Ç., 45 vjeç, banues në Roskovec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike dhe ka kanosur për jetën bashkëshorten e tij;

-S. Gj., 38 vjeç, banues në Levan, Fier, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. K., 19 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ditën e djeshme, në fshatin Fier i Ri, Lushnjë, duke drejtuar motomjetin ka aksidentuar shtetasin A. Ç., 70 vjeç dhe më pas është larguar nga vendngjarja. 70-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Lezhë / Informacion paraprak-Në lagjen “Varosh” në Lezhë, në një banesë, është gjetur pa shenja jete shtetasi F.Z. 46 vjeç, banues në Fier.Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, dyshohet të jetë vetëvarur.Trupi i tij po dërgohet në Morgun e Spitalit Rajonal Lezhë për ekzaminime të mëtejshme.Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 80 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 12 janë arrestuar, 53 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 10 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 2 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e strukturave policore dhe me 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu është evidentuar 1 rast i veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, me 1 shtetas të arrestuar.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 9 raste, prej tyre, 4 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të ndaluar.

Për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të arrestuar.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste, me 1 shtetas të ndaluar dhe me 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 10 raste të djegies së pronave/pasurive të ndryshme, 2 prej të cilave rezultojnë aksidentale, gjithashtu, për rastet e tjera rezultojnë 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe një tjetër i shpallur në kërkim. Vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarreve.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 8 raste, me 3 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 19 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale penale “Vetëgjyqësia”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Përndjekja”, me 3 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë evidentuar: 3 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të arrestuar; 1 rast i veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, 1 rast i veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me 1 shtetas të ndaluar, si dhe 1 rast i veprave penale “Marrja e padrejtë e fëmijës” dhe “Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë”, me 1 shtetas të ndaluar.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, si pasojë e të cilëve 1 shtetas ka humbur jetën dhe 12 të tjerë janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 6 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, si dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.