Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 6 gusht 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë/Informacion paraprak-Më datë 06.08.2022, rreth orës 12:50, në rrugën “Teodor Keko”, në afërsi të një pallati që po ndërtohet, për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr.Për pasojë janë djegur disa panele të pallatit dhe një automjet i parkuar, në pronësi të shtetasit A. M.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Korçë/Informacion paraprak-Më datë 06.08.2022, rreth orës 10:20, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Lumalas, Korçë, shtetasi F. U., duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka përplasur shtetasen M. K., rreth 72 vjeçe, këmbësore në rrugë, e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.Drejtuesi i mjetit ndodhet i shoqëruar për veprimet e mëtejshme procedurale.Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Maliq/Korçë-Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen I. K., 45 vjeçe, banuese në Pogradec, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.Shërbimet e policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin për transmetimin e kanaleve televizive, që kjo shtetase administronte, në Maliq, konstatuan se I. K., e ushtronte këtë aktivitet në mënyrë të parregullt, pa kontratë dhe nuk deklaronte të ardhurat e përfituara prej tij.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Tropojë/Sekuestrohen drogë, armë zjarri dhe municion luftarak.Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Rrjeta”,  i zhvilluar nga DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë, Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë.Qarkullonin me rreth 8 kilogramë kanabis dhe armë zjarri në automjet, vihen në pranga 3 shtetas.Sekuestrohen rreth 8 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Rrjeta”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:-E. Gj., 24 vjeç, banues në Geghysen, Tropojë, F. S., 34 vjeç, banues në Bugjon, Pukë dhe E. M., 22 vjeç, banues në Fierzë, Tropojë.Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Ura e Drinit”, Fierzë, duke udhëtuar me automjetin tip “Mitsubish”, në të cilin, gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën rreth 8 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 1 armë zjarri automatik, si dhe një karikator me 30 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Vlorë/Vijojnë operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim, si dhe për goditjen e paligjshëmrisë.Finalizohet operacioni policor i koduar “Otima”, i zhvilluar nga Stacioni i Policisë Selenicë, Komisariati i Policisë Vlorë dhe Forca e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë.I shpallur në kërkim për 10 kg kanabis dhe një armë zjarri, kapet dhe vihet në pranga 62-vjeçari, i cili u kap duke kultivuar sërish bimë narkotike.Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe kapjen e personave në kërkim,  bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Policisë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Otima”, në kuadër të të cilit u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim:-P. Rr., 62 vjeç, banues në Selenicë, pasi shërbimet e Policisë, më datë 26.08.2021, si rezultat i kontrolleve të imtësishme, i gjetën në banesë dhe i sekuestruan 10 kg lëndë narkotike kanabis, një armë zjarri dhe disa bimë kanabisi të kultivuara.Në vijim të veprimeve për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 16.09.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.Gjatë kontrollit të ushtruar në oborrin e banesën së 62-vjeçarit, në Selenicë, në kuadër të operacionit “Otima”, iu gjetën të kultivuar disa bimë të dyshuara narkotike cannabis, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.Materialet i kaluan  Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 14 janë arrestuar, 58 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 8 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 16 raste, , me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë dhe me 20 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 3 raste, me 2 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 8 raste, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu janë evidentuar 2 raste të veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të arrestuar.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 10 raste, prej tyre 1 rast është me autorë ende të paidentifikuar, 1 rast ka mbetur në tentativë, me autorë gjithashtu ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 5 raste të djegies së pronave/pasurive të ndryshme, 2 prej të cilave rezultojnë aksidentale, për rastet e tjera rezultojnë 1 shtetas i arrestuar dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 5 raste, me 3 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale penale “Moskallëzimi i krimit”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Braktisja e fëmijëve të mitur” dhe “Fyerja”, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “prostitucioni”, me 1 shtetas të ndaluar.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilëve 6 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 12 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të arrestuar, si dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.