Përdorte rrjetet sociale për thirrje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, vihet në pranga.
Drejtoria e Antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2020, si rezultat i operacionit policor të koduar “Shadow”, ka ekzekutuar Urdhrin e Ndalimit të prokurorit, në ngarkim të shtetasit:
B. Z., për veprat penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve “.
Gjatë një hetimi dyvjeçar, Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim me SPAK-un, duke përdorur metodat proaktive, ka dokumentuar aktivitetin e kundërligjshëm të shtetasit B. Z.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ka hapur disa llogari në rrjete të ndryshme sociale, (Twitter, Facebook dhe Telegram), në të cilat ka publikuar dhe përhapur materiale me përmbajtje radikale ekstremiste, si dhe ka postuar statuse për shtetin islamik, duke justifikuar akte terroriste të ndodhura në vendet europiane, tekste me propagandë kundër rendit shoqëror të shtetit laik, të dhëna për kujdes dhe financim të aktiviteteve apo nëpërmjet donacioneve të ndryshme, si dhe nxitje për urrejtje kundër shteteve anëtare të koalicionit global kundër terrorizmit.
Materialet për këtë shtetas i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.