DVP Vlorë/Vihen në pranga 3 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë shtetasi I. G., 43 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin V. M., 46 vjeç, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, pasi u konstatua se kishte vendosur muzikë, pas orarit të përcaktuar, në lokalin që menaxhon, në fshatin Krane, Finiq.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u referuan materialet në Prokurori dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. K., 57 vjeç dhe K. K., 30 vjeç (babë e bir), pasi dyshohet se, në Dhërmi, kanë dëmtuar me sende të forta dhe grushte, për motive të dobëta, shtetasit N. L., 31 vjeç, G. D., 40 vjeç dhe O. Z., 21 vjeç, banues në Tiranë, të cilët po marrin mjekim në Spitalin e Traumës, Tiranë. Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. B., 28 vjeç, banues në Kuçovë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit dhe nuk ka kallëzuar ngjarjen. Punohet për kapjen e autorëve.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin Y. M., 67 vjeç, banues në Vlorë, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, është përfshirë në një aksident me dëme materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.