Ndërtoi pa leje një objekt, në një sipërfaqe toke që nuk e kishte në pronësi, në Qeparo, shpallet në kërkim 38-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas po ndërtonte pa leje, në fshatin Qeparo, kanë ushtruar kontroll në këtë zonë. Gjatë kontrollit u konstatua se shtetasi I. P. kishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente, një objekt 1-katësh, në një sipërfaqe toke që nuk e kishte në pronësi.
Në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse të bashkisë Himarë u morën masat për prishjen e ndërtimit pa leje, me qëllim rikthimin e hapësirës në gjendjen fillestare.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe u shpall në kërkim policor shtetasi I. P., 38 vjeç, banues në Tiranë. Vijon puna për kapjen dhe vënien e tij para përgjegjësisë ligjore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.