Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 29 korrik 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kukës/Informacion paraprak-Rreth orës 21:10, në aksin rrugor Kalimash-Morinë, shtetasi S. G., duke drejtuar automjetin (kamion), ka humbur kontrollin dhe për pasojë kamioni është përmbysur.Nga aksidenti ka mbetur i dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi S. G., banues në Tiranë, i cili po transportohet në Spitalin e Traumës, Tiranë.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi dyshohet se shtetasi M. Sh., 39 vjeç, banues në Fier, duke drejtuar automjetin, në fshatin Vlosh, ka aksidentuar një fëmijë 4 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Punohet për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Gjirokastër-Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban arrestuan në flagrancë shtetasin G. G., 56 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi në aksin rrugor Gjirokastër-Kordhocë, në afërsi të vendit të quajtur “NSHN” është përplasur me motoçikletën me drejtues shtetasin F. M. Për pasojë është dëmtuar drejtuesi i motoçikletës, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. M., pasi drejtonte motoçikletën, pa leje drejtimi.Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

DVKM Vlorë/Policia Kufitare vijon kontrollet e përditshme, përgjatë vijës bregdetare të qarkut Vlorë.Kontrollet kanë si qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për pushuesit.Gjatë muajit korrik, si rezultat i kontrolleve, janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, 25 drejtues të mjeteve lundruese, kryesisht “Jet ski”, nga të cilat 3 janë bllokuar.Bllokohen edhe 2 mjete të tjera lundruese “Jet ski” dhe ndëshkohen me masë administrative pronarët e tyre, të cilët kryen manovra të rrezikshme, duke rezikuar jetën e pushuesve, në plazhin e Ksamilit.Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë për pushuesit, kanë marrë njoftim për dy shtetas që kryenin manovra të rrezikshme me mjete lundruese, në det, duke rrezikuar pushuesit.Pas lokalizimit të dy mjeteve lundruese, në bazë të ligjit nr.127, datë 15.10.2020, neni 14/b, u ndëshkuan me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, pronarët e mjeteve lundruese, shtetasi E. H., banues në Sarandë dhe shtetasi K. K., banues në Tiranë. Gjithashtu u bë bllokimi i të dy mjeteve lundruese “Jet ski” me të cilët këta shtetas kryen manovra të rrezikshme, në plazhin e Ksamilit.Policia Kufitare do të vijojë kontrollet me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për pushuesit, gjatë sezonit turistik, dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.

Tiranë-Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Medicines”.Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.Tregtonte medikamente mjekësore të dyshuara të kontrabanduara, që i mbante në banesë, vihet në pranga 52-vjeçari.Procedohet në gjendje të lirë 1 shtetase që blinte medikamentet e dyshuara të kontrabanduara.Sekuestrohen medikamente të ndryshme mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, dhe një shumë parash.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mbante në banesën e tij, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Medicines”.Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:- I. M., 52 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasja M. G., 47 vjeçe, banuese në Tiranë.Këta shtetas janë kapur në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Medar Shtylla”, gjatë momentit që shtetasja M. G. po i blinte një sasi medikamentesh shtetasit I. M.Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit I. M., në Komunën e Parisit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullën fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan medikamente të ndryshme mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, dhe një shumë parash.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tiranë/Informacion paraprak-Më datë 29.07.2022, rreth orës 12:40, në fshatin Façesh, në Dajt, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit B. B., dhe si pasojë është dëmtuar vajza e tij e mitur 8 vjeçe, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

DVP Elbasan-Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje.Sekuestrohen një armë zjarri pushkë dhe një sasi municioni luftarak, vihet në pranga poseduesi.Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” shtetasin:H. Z., banues në fshatin Dëshiran, Belsh, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë dhe një sasi municioni luftarak, që i mbante pa leje.

Port Durrës / Krahas masave të shtuara për menaxhimin e fluksit të levizjes gjatë sezonit veror, vijojnë kontrollet e pandërprera nga shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Port Durrës, me qëllim goditjen e paligjshmërisë.U konstatuan me automjete të dyshuara të vjedhura jashtë shtetit, vihet në pranga 1 shtetas, procedohen penalisht 2 të tjerë.Bllokohen 3 automjetet e dyshuara të vjedhura.Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës, në vijim të zbatimit të masave të shtuara në kuadër të sezonit turistik, kanë intensifikuar kontrollet me qëllim goditjen e paligjshmërisë. Në këtë kuadër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. R., 53 vjeç, banues në Zvicër, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike” , pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Port Durrës, me një automjet i cili rezulton i vjedhur në shtetin italian.Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve, u referuan materialet në Prokurori, si dhe filloi procedimi penal për shtetasit:-F. L., 39 vjeç dhe S. M., 47 vjeç, banues në Durrës dhe Mbretërinë e Bashkuar, pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Durrës, me automjetet përkatëse të cilët rezultojnë të vjedhur në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar.Në vijim të veprimeve, u blokuan të tre automjetet, si dhe u referuan materialet në prokurori, për procedura të mëtejshme.

Vlorë/Informacion paraprak-Rreth orës 08:55, në fshatin Viron, Finiq, ka marrë flakë, në ecje e sipër, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin Sh. Gj, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Paraprakisht dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një defekti në mjet.

Pogradec-Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri 186”.U kap duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, me një automjet që e drejtonte pa leje drejtimi, vihet në pranga 26-vjeçari.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. H., 26 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.Shërbimet e Policisë e kanë kapur në flagrancë shtetasin S. H., në qytetin e Pogradecit, duke transportuar me automjetin tip “Benz”, në drejtim të Tiranës, 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 5000 euro për secilin, u kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Gjatë kontrollit dhe verifikimit të dokumentacionit, rezultoi se shtetasi S. H. e drejtonte automjetin, pa leje drejtimi.Po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Delvinë/Informacion paraprak-Më datë 29.07.2022, rreth orës 11:40, në një përrua, në vendin e quajtur “Gropa e Zilfos”, Delvinë, është gjetur i pajetë nga familjarët, shtetasi V. A., 68 vjeç, banues në Delvinë. Dyshohet se ky shtetas është vetëvrarë në kushte depresioni, me një armë gjahu që u gjet pranë trupit të tij.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 89 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 20 janë arrestuar, 61 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, tre prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me, 1 shtetas të ndaluar, si dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të ndaluar.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 4 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu janë evidentuar 2 raste të veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 8 raste, prej tyre 5 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të arrestuar, ndërsa për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 19 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të ndaluar dhe me 17 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 10 raste të djegies së pronave/pasurive të ndryshme, një prej të cilave rezulton aksidental, për 3 të tjera rezultojnë 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për rastet e tjera vijon puna nga ana e strukturave të Policisë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 5 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon punën Policia, dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale penale “Dhunimi i banesës”, “Braktisja e kafshës së shoqërimit” dhe “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”, me 3 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë evidentuar: 5 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë; 3 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Përvetësimi i titullit apo detyrave shtetërore”, me 1 shtetas të ndaluar; 2 raste të veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, me 4 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 rast i veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e strukturave policore.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 aksidente, si pasojë e të cilëve 10 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 21 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 8 shtetas të arrestuar, si dhe me 13 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.