Ndezi zjarr në tokën e tij, për pasojë u dogj një sipërfaqe toke me ullinj, procedohet penalisht autori i dyshuar.
Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin P. B., 60 vjeç, pasi ka ndezur zjarr për djegien e barërave në tokën e tij, në fshatin Lalar, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me ullinj.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, sepse do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin O. Ll., 39 vjeç, banues në fshatin Zhymë, Lushnjë, pasi dyshohet se ka vjedhur një sasi parash në minimarketin në pronësi të shtetases K. Ll.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin S. Y., banues në fshatin Çorrush, Mallakastër, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, pasi dyshohet se ka zaptuar tokën e shtetasit P. H.
—
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit:
M. M., 18 vjeç, banues në Boçovë, Fier, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi, në Boçovë ka aksidentuar shtetasin K. B., 68 vjeç. Si pasojë janë dëmtuar të dy shtetasit e përfshirë në aksident, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve;
I. S., 64 vjeç, banues në Hungari, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi duke drejtuar motomjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë motomjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti ka mbetur i dëmtuar 64-vjeçari, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dyshohet se shtetasi M. Sh., 39 vjeç, banues në Fier, duke drejtuar automjetin, në datë 28.07.2022, ora 19:00, në fshatin Vlosh, ka aksidentuar një fëmijë 4 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Punohet për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.