Raporti 48-orësh i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 24-25 korrik 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës/Informacion paraprak-Në lagjen Nr.17 Durrës, dyshohet se është hedhur nga ballkoni i banesës së saj dhe ka humbur jetën shtetasja B. M., rreth 65 vjeçe.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Himarë-Policia e Himarës, kontrolle në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit.Lirohet hapësira në vijën bregdetare, në vendin e quajtur “Porto Palermo”, në Himarë.Procedohet penalisht administratorët e 2 subjekteve të paregjistruar në organet tatimore, të cilët zunë hapësirën publike në plazh, duke vendosur pa lejen përkatëse, çadra dhe shezlogë.Sekuestrohen 120 çadra dhe shezlongë.Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që vendosin çadra dhe shezlongë, nga Komisariati i Policisë Himarë në bashkëpunim me specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”, për shtetasit:- I. S., 32 vjeç, banues në Tiranë;- A. L., 47 vjeç, banues në Himarë.Shërbimet e Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Himarë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr 120 çadrat dhe shezlongët që ishin vendosur pa lejen përkatëse, në vendin e quajtur “Porto Palermo”.Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë/Informacion paraprak-Sot, rreth orës 12:00, në afërsi të tunelit në “Uji të Ftohtë”, si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta, dyshohet se një shtetas, ka qëlluar me armë zjarri në ajër.Nga verifikimet e bëra nga shërbimet e  Policisë, nuk ka persona të dëmtuar.Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për kapjen e autorit i cili është identifikuar nga Policia menjëherë.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë në konflikt.

Vlorë-Qëlloi me armë zjarri në ajër, për të kanosur për motive të dobëta, një shtetase, shpallet në kërkim 40-vjeçari.Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë.Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, pranë tunelit, në zonën e quajtur “Uji i Ftohtë”, ku një 40-vjeçar qëlloi me armë zjarri në ajër, për të kanosur për motive të dobëta, një shtetase, bënë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit E. L., 40 vjeç, banues në Vlorë.Ky shtetas dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në ajër, me qëllim kanosjen e shtetases A. D., 58 vjeçe, banuese në Vlorë.Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe administrimit të çdo prove të grumbulluar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe një gëzhojë.Vijon puna nga ana e shërbimeve të Policisë, për kapjen e shtetasit E. L.Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Sarandë/Informacion paraprak-Më datë 25.07.2022, rreth orës 15:30, në spitalin e Sarandës është paraqitur për ndihmë mjekësore, një fëmijë i moshës 4 vjeç, i cili dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht nga kati i dytë i banesës, në fshatin Berdenesh, Sarandë. Fëmija do të dërgohet në Spitalin e Traumës, në Tiranë, për ndihmë mjekësore më të specializuar.Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

DVP Dibër-Dogjën me zjarr sipërfaqe pyjore, identifikohen dhe procedohen penalisht 2 autorët e dyshuar.Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të zjarrvënies së qëllimshme, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mat dhe Bulqizë  referuan materialet në Prokurori, si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit A. K.,  banues në Klos dhe A. O., banues në Gjoricë, pasi dyshohet se këta shtetas kanë ndezur zjarr përkatësisht në fshatrat Plan i Bardhë dhe Gjoricë dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur sipërfaqe pyjore.Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë banorët, që për asnjë arsye të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Lezhë/Kurbin-Goditet një rast i përshtatjes së lokaleve për përdorimin e lëndëve narkotike.Vihen në pranga administratori i lokalit dhe 2 kamarierë.Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe përshtatjes së lokaleve për përdorimin e lëndëve narkotike, bazuar në informacione policore se në një lokal në Zejmen, kishte lëndë narkotike, menjëherë nga shërbimet policore është ushtruar kontroll në  këtë lokal, ku janë gjetur dhe sekuestruar doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.Në vijim të veprimeve hetimore, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Lezhë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: K. P., 41 vjeç, banues në Zejmen, administratori i lokalit;A. A., 24 vjeç, banues në Lezhë dhe S.S., 55 vjeç, banues në Milot, kamarierë në lokal.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Përshtatja e lokaleve për përdorimin e lëndëve narkotike”.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. M., 43 vjeç, banues në Kurbin, pasi ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Shëngjin/Lezhë-Më datë 23.07.2022, kallëzon shtetasi kosovar B. R., 38 vjeç, se në Shëngjin, i është vjedhur në automjetin e tij të parkuar, një shumë parash. Strukturat e Policisë vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Elbasan – Më datë 23.07.2022, rreth orës 18:00, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, është gjetur në rrugë, dyshohet e vetëhelmuar shtetasja M. G., 35 vjeçe, banuese në fshatin Shushicë, Elbasan, e cila është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Policia Kufitare-Kreu manovra të rrezikshme me një mjet lundrues “Jet ski”, në zonën e ndaluar për mjetet lundruese, në plazh, Durrës, duke rrezikuar pushuesit, Policia Kufitare e Durrësit ka ndërhyrë menjëherë duke bllokuar dhe shoqëruar në Port, mjetin lundrues, së bashku me drejtuesin e tij.Gjatë kontrollit, u konstatua se drejtuesi, shtetasi E. T., 25 vjeç, banues në Durrës, nuk kishte dokumente për mjetin lundrues. Policia Kufitare bllokoi mjetin lundrues dhe ndëshkoi me masë administrative në vlerën 10.000 lekë të rinj, shtetasin E. T.Gjatë kësaj jave, në të gjithë zonën bregdetare, janë zhvilluar kontrolle të hërëpashershme për mjetet lundruese dhe për zbatimin e detyrimeve për të mos lundruar në zonat e mbrojtura me bova.Si rezultat i kontrolleve, nga Ksamili në Velipojë, janë verifikuar 31 mjete lundruese, kryesisht “Jet ski” dhe skafe, për dokumentacionin që duhet të kenë, si dhe për t’u bërë me dije sanksionet, drejtuesve të tyre, në rast shkeljeje të perimetrit të sigurisë së pushuesve.Policia Kufitare do të vijojë intensivisht kontrollet në të gjithë vijën bregdetare dhe apelon për të gjthë ata shtetas që kanë në përdorim apo japin me qira për përdorim mjete argëtuese lundruese, të tregojnë kujdes maksimal për të respektuar detyrimet, me qëllim rritjen e sigurisë së jetës së pushuesve në plazhe.

Kurbin-Nuk i bindet urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar automjetin që e drejtonte në gjendje të dehur, vihet ne pranga 47-vjeçari që mbante municion luftarak në automjet.Në vijim të kontrolleve të pandërprera për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të shfaqjes së saj, specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Lezhë dhe specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasin E.(I).M. 47 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”.Ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar për kontroll, automjetin me të cilin qarkullonte në qytetin e Laçit. Pas ndalimit dhe kapjes së tij, është testuar me pajisje alkool-testuese ku ka rezultuar se 47-vjeçari e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur, si dhe si rezultat i kontrollit të imtësishëm të shërbimeve të Policisë në automjet, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një krehër pistolete dhe disa fishekë.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 99 shtetas, konkretisht: 9 janë ndaluar, 17 janë arrestuar, 69 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, 2 tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 5 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 15 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 15 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 5 raste, 2 tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 3 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 18 raste, prej tyre 10 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, 1 rast ka mbetur në tentativë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të ndaluar, 2 të tjerë të shpallur në kërkim, si dhe me 5 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, dhe për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste, me 1 shtetas të ndaluar dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 16 raste të djegies së pronave/pasurive të ndryshme, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, 4 prej tyre për shkaqe aksidentale, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të tyre.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 11 raste, me 4 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 23 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë dhe “Përndjekja”, me 1 shtetas të ndaluar.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, 2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 2 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 10 aksidente, si pasojë e të cilëve 1 shtetas ka humbur jetën dhe 23 të tjerë janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 17 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 8 shtetas të arrestuar, si dhe me 9 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.