Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tropojë/Informacion shtesë – Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për turistin serb, shtetasin G. S., i cili duke eksploruar zonën me një grup turistësh, në vendin e quajtur “Maja e grykave të hapura”, Valbonë, kishte ndërruar jetë, dyshohet si pasojë e infarktit, ju informojmë se: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me forcat e kërkim-shpëtimit të Kosovës dhe një banor të zonës, kanë ndërhyrë me këmbë për të nxjerrë turistët, për shkak të terrenit të vështirë. Punonjësit e Policisë, gjatë mbrëmjes së djeshme, fillimisht kanë nxjerrë turisten serbe nga terreni i vështirë dhe e kanë transportuar për disa orë, deri në vendin e quajtur Brijaz, ku ishte e mundur ulja e helikopterit. Me ndihmën e helikopterit, turistja është transportuar në qendrën shëndetësore të Valbonës, në gjendje jashtë rrezikut pë jetën. Gjithashtu, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me ekipin e kërkim-shpëtimit të Kosovës, kanë transportuar me barrelë, për rreth 6 orë, në këmbë, trupin e pajetë të shtetasit G. S., 52 vjeç, banues në Beograd Serbi, deri në vendin e quajtur Brijaz, ku ishte e mundur ulja e helikopterit. Duke qenë se gjatë mbrëmjes, për shkak të errësirës, nuk ishte e mundur ngritja e helikopterit, trasportimi i trupit të shtetasit G. S. është bërë në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme. Shtetasi G. S. është transportuar në morgun e spitalit të Shkodrës, për kryerjen e ekzaminimeve të mëtejshme. Parapakisht dyshohet se ka humbur jetën për shkak të arrestit kardiak.
Jalë, Himarë – Humbi kontrollin e mjetit lundrues dhe për pasojë dëmtoi dy pushues që ishin në breg të detit, vihet në pranga 37-vjeçari. Sekuestrohet mjeti lundrues tip gomone. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, në vijim të veprimeve hetimore, në lidhje me ngjarjen e ndodhur paraditen e djeshme, në plazhin Jalë, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasin Gj. P., 37 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi Gj. P., duke drejtuar mjetin lundrues tip gomone, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka dalë në breg të detit duke dëmtuar shtetasit A. S., 31 vjeç dhe E. Gj., 25 vjeçe, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Traumës, nën kujdesin mjekësor. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 44 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 20 janë arrestuar në flagrancë dhe 22 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 7autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë, 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të krimeve mjedisore, me autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i korrupsionit, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me 1 autor të dyshuar që po procedohet në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, me 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.