Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Port, Durrës – Policia Kufitare parandalon dhe godet një rast të tentativës për trafikim të drogave të forta. Sekuestrohen 11 kg lëndë narkotike, e dyshuar Heroinë. Arrestohet në flagrancë një shtetas. Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të analizës së riskut, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në pikën e kontrollit të mjeteve, në mjetin tip Opel me drejtues shtetasin A. S. shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur edhe qenin antidrogë kanë konstatuar se në brendësi të automjetit kishte lëndë narkotike. Menjëherë është njoftuar grupi hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës. Gjatë kontrollit të imtësishsëm të automjetit në gomën rezervë dhe në brendësi të vendit ku ajo vendoset, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 25 pako me lëndë narkotike, me peshë 11 kg, e dyshuar Heroinë. Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. S., 50 vjeç, banues në Zvicër, drejtuesi i mjetit. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Dibër – Zbardhet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku si pasojë e një konflikti të çastit, u plagos me sende të forta dhe humbi jetën në spital një shtetas. Kapen dhe arrestohen në kohë rekord tre shtetas, ndër ta dy vëllezër, autorë të dyshuar të ngjarjes. Rreth orës 03:00, në datën 17.09.2019, në fshatin Sllatinë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, (konflikt i çastit, pasi kishin konsumuar alkool), në ambjentet e një lokali në fshat, shtetasi Q.P., 24 vjeç, dyshohet se ka plagosur me thikë shtetasin M. H, 24 vjeç dhe ky i fundit, në bashkëpunim me vëllain e tij, ka plagosur me sende të forta shtetasin D. P., 29 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital. Si rezultat i reagimit në kohë të policisë dhe veprimeve hetimore të kryera janë kapur dhe arrestuar autorët e dyshuar të ngjarjes shtetasit
Q. P., banues në fshatin Sllatinë (vëllai i shtetasit D.P), J. H. dhe M. H. (vëllezër), banues në fshatin Sllatinë. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë Dibër për hetime të mëtejshme.
Lezhë – Bashkëpunimi komunitet – polici, finalizon operacionin antidrogë “Barbulloja”. Sekuestrohen 6 kg e 185 gr lëndë narkotike, në pranga poseduesi i saj. Specialistët për hetimin e narkotikëve dhe forcat policore të Komisariatit të Policisë Lezhë, mbi bazën e informacione të marra falë bashkëpunimit komunitet – polici se një shtetas në banesën e tij fshihte drogë, kanë ushtruar kontroll të befasishëm, ku në çatinë e shtëpisë së tij në fshatin Barbullojë në Lezhë, iu gjet e fshehur dhe u sekuestrua në cilësinë e proves materiale një sasi prej 6 kg e 185 gr lëndë narkotike kanabis sativa. U arrestua në flagrancë shtetasi B.P., vjeç 49, banues në Lezhë, i dyshuar si posedues i saj, për veprën penale ” Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Materialet procedurale në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.
Fier – Policia e Fierit falë bashkëpunimit me qytetarët u gjen në kohë rekord dy turistëve biçikletat që u kishte vjedhur një 19-vjeçar. Gjatë ndjekjes nga Policia autori mundi të largohet, por është identifikuar dhe shpallur në kërkim. Në zonën e quajtur “Azotiku”, një shtetas u kishte vjedhur biçikletat dy turistëve gjermanë, duke shfrytëzuar momentin kur këta të fundit ishin duke filmuar. Një qytetar, i cili kishte parë momentin e vjedhjes, njoftoi policinë dhe menjëherë drejt vendngjarjes u nis njësia “Shqiponjat”, e cila u vu në ndjekje të autorit. Gjatë ndjekjes, autori braktisi biçikletat në lagjen e romëve dhe arriti të largohet. Policia po punon për kapjen e shtetasit K. M., 19 vjeç dhe vënien e tij para përgjegjësisë ligjore. Shërbimet e Policisë “Shqiponjat” u kanë dorëzuar biçikletat turistëve gjermanë, të cilët kanë falënderuar Policinë për gjetjen e tyre. Policia e Fierit falënderon qytetarin për besimin, bashkëpunimin dhe reagimin qytetar, pasi raste të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në imazhin e vendit dhe fton cilindo që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112 ose në “Komisariatin Dixhital”, duke garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.
Tiranë – 5 shtetas të arrestuar gjatë orëve të fundit për vepra të ndryshme penale nga strukturat e D.V.P. Tiranë. Strukturat e D.V.P.Tiranë në vijim të punës për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, gjatë orëve të fundit kanë bërë arrestimin në flagrancë të 5 shtetasve për vepra të ndryshme penale, konkretisht:
Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr .2, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim” i shtetasve E. A., 26 vjeç, banues në Tiranë dhe E. N., 26 vjeç, banues në Tiranë. Tek “Pallati me shigjeta” gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e policisë shtetasve E. A. dhe E. N. iu gjetën e bllokuan në cilësinë e provës materiale 17.6 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Nga Komisariati i Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Dhunim banese”, “Shkatërrim prone” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike“, i shtetasit Xh. P., 23 vjeç, banues në Tiranë. Në rrugën “Tish Daija” ky shtetas është futur me dhunë në banesën e shtetases F. D. dhe i ka dëmtuar orenditë shtëpiake. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë këtij shtetasi i është gjetur dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabisi.
Nga shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, i shtetasit F. L., 31 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për veprën “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Dhuna në familje”). Ky shtetas në banesë ka kanosur dhe ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj babait, shtetasit T. L.
Nga shërbimet e Policisë të Komisariatit Vorë u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, i shtetasit S. L., 35 vjeç, banues në Vorë. Ky shtetas në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe nënës së tij, shtetasve M. L. dhe T. H., të cilave iu plotësua urdhri i menjëhershëm i mbrojtes. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Efektivët e Stacionit të Policisë Ura Vajgurore i blejnë librat 12-vjeçarit, i cili kishte apeluar për ndihmë. Punonjësit e Policisë, paraditen e sotme, kanë blerë librat, ja kanë dhuruar Seldit dhe i kanë uruar një vit shkollor sa më të mbarë dhe të suksesshëm. Ata i kanë premtuar Seldit se shtëpia e policisë Ura Vajgurore do të jetë gjithmonë e hapur për të dhe për të gjithë bashkëmoshatarët e tij në nevojë. Vogëlushi 12-vjeçar sot është paraqitur në shkollë, i gezuar duke u përcjellë gjithë bashkëmoshatarëve të tij mesazhin se polici është miku më i mirë i tij.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 90 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar në flagrancë, 2 janë ndalur dhe 72 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 4 në qarkun Tiranë dhe 3 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, në qarkun Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 7 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 3 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 4 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në qarkun Tiranë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 2 në Elbasan dhe 1 në Lezhë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.