Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano gjatë një vizite pune në Athinë, u takua me homologun e tij grek dhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Greqisë

Policia e Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano është duke zhvilluar një vizitë pune në Athinë.

Drejtor Nano u prit në një takim miqësor nga homologu i tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke Gjeneral Lieutenant Konstantinos Skoumas.

Gjatë takimit, Nano dhe Skoumas diskutuan çështje me interes më të gjerë policor, duke theksuar nevojën për forcimin e kuadrit të përbashkët strategjik për luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar, trafikut të drogës, emigracionit të paligjshëm, si dhe për hetimin e rasteve të vrasjeve.

Gjithashtu, gjatë takimit, nga të dy drejtorët e përgjithshëm u shpreh vullneti i ndërsjellë për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit mes dy vendeve, në çështjet e sigurisë, bashkëpunimit policor, shkëmbimit të informacionit dhe realizimit të trajnimeve të përbashkëta.

Drejtor Nano ka theksuar se Policia shqiptare është e mirorientuar dhe e vendosur për të bashkëpunuar me partnerët, në veçanti me vendet fqinje, për të rritur forcën parandaluese dhe goditëse ndaj krimit të organizuar dhe krimeve ndërkufitare.

Në këtë takim morën pjesë Drejtori i Drejtorisë së Menaxhimit dhe Analizës së Informacionit, Gjeneral Major Nikolaos Tsetsikas, Drejtori i Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor Kolonel Ioannis Stavrakakis, shefi i Shtabit, zëvendësshefi i Shtabit, ndërsa nga Policia shqiptare morën pjesë Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, z. Pëllumb Seferi, Drejtori i Kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm, z. Kastriot Skënderaj dhe oficerja e kontaktit të Policisë shqiptare në Athinë, znj. Eva Kollobani.