Policia e Shtetit – 246 studentë me rezultate të larta, në një nga tre degët Ekonomik, Juridik apo Teknologji Informacioni kanë aplikuar për 100 vende, për t’u bërë Oficerë të Hetimit të Krimit

Prej datës 4 korrik, Policia e Shtetit hapi aplikimet për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, për studentët që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta në disa degë të caktuara.

Me qëllim plotësimin e funksioneve të lira organike dhe përzgjedhjen me barazi, paanshmëri dhe transparencë të kandidatëve më të mirë, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës e mosdiskriminimit, në zbatim të urdhrit të Ministrit të Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përcaktoi kriteret për rekrutimin e 100 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.

Aplikimet u bënë pranë Drejtorive Vendore, Komisariateve të Policisë, si dhe përmes aplikimit online në Akademinë e Sigurisë.

Aplikimet janë mbyllur mbrëmjen e djeshme dhe nga verifikimet paraprake rezultoi se në portal dhe me dosje fizike kanë aplikuar 246 studentë, të cilët iu përgjigjën thirrjes së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për të dhënë kontributin në rritjen e parametrave të sigurisë dhe rritjen e cilësisë së luftës kundër krimit ekonomik e financiar, pastrimit të parave dhe krimit kibernetik.

Pas verifikimit të dokumentacionit nga burimet njerëzore të DVP-ve, aplikantët që do rezultojnë se plotësojnë kushtet do vijojnë me procedurat e tjera të përzgjedhjes, atë të testimit të gjuhës angleze dhe më pas me kontrollin mjekësor.

Interesi i lartë i treguar nëpërmjet aplikimeve tregon edhe njëherë se Policia e Shtetit është institucioni më i besueshëm për qytetarët dhe se të rinjtë shikojnë te Policia e Shtetit mundësinë për të investuar aftësitë profesionale në të mirë të vendit.