Masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2019 – 2020
Drejtues Albert Dervishaj, Drejtor i Drejtorisë së Rendit Publik, në Departamentin për Sigurinë Publike
Policia e Shtetit në përmbushje të misionit dhe detyrave të përcaktuara ka marrë një sërë masash për të garantuar sigurinë publike, rendin dhe qetësinë, për të parandaluar ngjarje kriminale apo aksidente rrugore, si dhe zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla apo edhe përreth tyre.
Kjo duke filluar nga sot, që është dita e parë e fillimit të vitit të ri shkollor dhe në vazhdimësi, për çdo ditë të zhvillimit të këtij procesi.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka urdhëruar të gjithë drejtuesit e strukturave vendore të Policisë në Drejtori, Komisariate, Stacione dhe Posta Policie, të studiojnë e vlerësojnë situatën kriminale dhe atë të rendit publik. Mbi këtë bazë, strukturat vendore të policisë tashmë kanë hartuar Planet e Masave me detyra konkrete për shërbimet e kontrollit të territorit, të rendit, për policinë kriminale, policinë rrugore etj.
Në këto plane janë përcaktuar në mënyrë të detajuar detyrat që do kryejnë punonjësit e policisë me shërbim pranë shkollave, duke shtuar prezencën policore pranë ambienteve të tyre, me qëllim vlerësimin, sqarimin në kohë, ndjekjen me përparësi të informacioneve për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në këto ambiente apo pranë tyre.
Komisariatet dhe Stacionet e Policisë sipas Zonave Policore, për shkollat që kanë në juridiksion, në orët më të ngarkuara të lëvizjes së nxënësve dhe të personelit do të sigurojnë prezencë policore me Patrullën e Përgjithshme, ndihmës specialistët e policimit në komunitet, ndihmës specialistët e policisë kriminale, si dhe shërbimet e policisë rrugore, në afërsi të institucioneve arsimore, sidomos në orarin e fillimit të mësimit, gjatë pushimit të madh apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla dhe deri në përfundim të saj.
Nga punonjësit e policisë është vendosur bashkëpunimi me institucionin e Prefektit, drejtuesit e institucioneve arsimore, ato të qeverisjes vendore etj. duke përcaktuar masa dhe detyra të përbashkëta me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë publike në ambientet shkollore, për:
Kufizimin apo ndalimin e parkimit, qëndrimit dhe lëvizjes së automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave.
Vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale të domosdoshme për disiplinimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve.
Mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë kanë qenë pika të grumbullimit të personave me precedentë kriminal, përdorues të pijeve alkoolike e narkotike dhe burim rreziku për prishje të rendit publik apo veprime të tjera të dhunshme ndaj personelit mësimdhënës e nxënësve të shkollave.
Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete armë zjarri, armë të ftohta apo sende të tjera të forta të rrezikshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve, oficerit të sigurisë në shkollat e mesme, por nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë.
Mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme me rojet e shkollave dhe punonjësit e shërbimit të SHPSF-ve, në ato institucione arsimore që e kanë një shërbim të tillë.
Në zbatim të Vendimit të Qeverisë me nr. 600 të tetorit të vitit 2018, mbi bazën e eksperiencës së projektit pilot të zbatuar në qytetin e Tiranës në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar, nga strukturat e Policisë së Shtetit, do të bashkëpunohet ngushtësisht me oficerët e sigurisë në 150 shkollat e mesme në Shqipëri (personel i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, të cilët kanë përfunduar trajnimin në Akademinë e Sigurisë), për shkëmbimin e informacionit, përmirësimin e perceptimit, forcimin e bashkëpunimit midis OSSH-së, nxënësve dhe policisë.
Vlerësimin e çdo informacioni që ka të bëjë me prishjen e rendit publik, konflikte, mosmarrëveshje që mund të kenë nxënësit apo në përballje me fenomenin e bulizmit, me qëllim marrjen e masave të nevojshme për parandalimin e veprave penale, identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.
Për raste të veçanta dhe për shkolla të veçanta, në të cilat situata e rendit dhe sigurisë mund të paraqesë shqetësime do të planifikohen dhe kryhen shërbime fikse, sipas orarit të zhvillimit të procesit mësimor, për periudha kohore të caktuara.
Nga ana e strukturave të policisë kriminale, të policimit në komunitet, të rendit publik dhe të policisë rrugore, në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe organizatat joqeveritare që në fokusin e punës së tyre kanë institucione arsimore, do të organizohen dhe zhvillohen aktivitete të përbashkëta me mësuesit dhe nxënësit, si në ambientet e policisë ashtu edhe në ato të shkollave, për njohjen dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në qendrat urbane, për sigurinë dhe bashkëpunimin me policinë, pasojat e përdorimit të lëndëve narkotike, rrezikshmërinë e mbajtjes së armëve të ftohta dhe armëve të zjarrit etj.
Specialistët për krimet dhe ndihmës specialistët e policimit në komunitet / SPZ, sidomos funksioni që ka drejtimin e punës me të rinjtë, nxënësit dhe me shkollat, do të marrin pjesë në takimet që zhvillohen në shkolla, si në bordin e prindërve, senatin e nxënësve, duke diskutuar dhe trajtuar problemet apo shqetësimet që lidhen me sigurinë në këto institucione.
Policia e Shtetit siguron nxënësit dhe prindërit, Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe ato të shkollave, se do të jetë e gatshme në çdo kohë lidhur me vlerësimin dhe realizimin e masave të sigurisë në shkolla.
Ata do të gjejnë tek punonjësit e policisë partnerë bashkëpunues e seriozë, por njëherësh kërkojmë edhe bashkëpunimin e tyre, për të bërë prezent tek strukturat policore çdo shqetësim dhe problematikë që mund të kenë.
Policia e Shtetit fton cilindo shtetas të denoncojë çdo shkelje ligjore dhe siguron se do të vlerësojë maksimalisht çdo telefonatë që do të adresohet, duke vepruar në kohën e duhur për sigurimin e rendit dhe të qetësisë, parandalimin e ngjarjeve, kapjen e autorëve të tyre dhe në bashkëpunim me prokurorinë, për zbulimin, identifikimin dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore.
Në përfundim me lejoni që ne emër të Policisë së Shtetit të uroj nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, suksese në këtë vit shkollor.
Policia e Shtetit garanton mësuesit dhe prindërit se do të kryejë me përgjegjësi të plotë detyrimet e saj për garantimin e rendit publik në ambientet shkollore.
Faleminderit.