Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6 operacioni policor i koduar “Aleati 2”. Në pranga dy shtetas. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, një armë e ftohtë thikë dhe një sasi lënde e dyshuar kanabis. Komisariati i Policisë Nr. 6 në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe falë një pune të mirëorganizuar hetimore finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Aleati 2”, në kuadër të të cilit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. D., 33 vjeç, banues në Yrshek, Tiranë dhe E. B., 25 vjeç, banues në Yrshek, Tiranë. Për shtetasit e lartpërmendur shërbimet e policisë të komisariatit Nr.6 dispononin informacion se lëviznin me sende të kundërligjshme me vete. Menjëherë nga shërbimet e policisë është organizuar operacioni policor “Aleati 2” për kapjen e tyre në flagrancë. Pasi shërbimet e policisë i kanë konstatuar këta dy shtetas në një lokal në zonën e Yrshekut, u kanë ushtruar kontroll fizik. Gjatë kontrollit fizik shtetasit E. D., iu gjet një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, ndërsa shtetasit E. B., iu gjet një armë e ftohtë thikë dhe një sasi lënde e dyshuar kanabis. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, një armë e ftohtë thikë dhe një sasi lënde e dyshuar kanabis. Materialet proceduarale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “ Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në ngarkim të shtetasit E. D. dhe për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” e “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në ngarkim të shtetasit E. B.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 97 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 7 janë ndalur dhe 74 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 16 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, konkretisht: 6 raste të “Kanosja”dhe 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në qarkun Lezhë, ku vijon puna për kapjen e autorëve.
Janë plotësuar 8 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 6 në qarkun Tiranë, me me 1 autor të ndaluar, 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 4 raste të tjera, për të cilat po punoher për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 3 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 3 në Tiranë dhe 1 në Durrës, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 4 në Tiranë dhe 1 në Fier.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.