Tiranë – Vihen në pranga 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë kapjen e shtetasit në kërkim K. K., 27 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e ka dënuar me 1 muaj e 13 ditë burg, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. F., 66 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Braktisja e kafshës së shoqërimit”, pasi ky shtetas ka braktisur dy qentë e tij (Pitbull), të cilët më pas kanë sulmuar shtetasen S. Gj., 66 vjeçe, e cila është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. B., 51 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. B., 32 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm”, “Pushtimi i tokës” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Ky shtetas është kapur duke ndërtuar pa lejen e organeve kompetente, si dhe i ka dëmtuar murin rrethues dhe i ka pushtuar një sipërfaqe toke, shtetases G. R.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– G. M., 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar mjetin e tij, pa leje drejtimi;

– A. N., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi ka aksidentuar shtetasen I. N., 67 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve;

– L. D., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi duke drejtuar mjetin e saj, në gjendje të dehur, është përplasur me mjetin me drejtues shtetasin M. P.
—-
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 kanë referuar materialet në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e shtetasit E. K., 28 vjeç, banues në Kombinat, i cili pas një konflikti për motive të dobëta, në Kombinat, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit E. I., 35 vjeç.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.