Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Diesel”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me hidrokarbure

Sekuestrohen 1250 litra karburant, pa faturë doganore.
Vihet në pranga 1 shtetas.
Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar të DVP Elbasan, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore për një shtetas që fuste hidrokarbure kontrabandë në vendin tonë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Diesel”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasi:
-Y. K., 53 vjeç, banues në fshatin Qukës, Prrenjas.
Gjatë kontrollit në magazinën e subjektit (bar-restorant), në pronësi të këtij shtetasi, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1250 litra karburant, që dyshohen se janë futur kontrabandë, në vendin tonë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka futur kontrabandë sasi hidrokarburesh në vendin tonë, të cilat i ka depozituar në ambientet e subjektit të tij dhe më pas i ka tregtuar duke fshehur të ardhurat.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.