Arrestohet në flagrancë pronari i lokalit ku ushtrohej kjo veprimtari e paligjshme.
Sekuestrohet një telefon, që përdorej për vendosjen e basteve sportive.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit, kanë bërë të mundur goditjen e një rasti tjetër të kësaj veprimtarie, në ambientet e një lokali.
Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 36 vjeç, banues në lagjen “30 Vjetori”, Berat, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat, në bashkëpunim me grupin e punës të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, kanë ushtruar kontroll në lokalin e këtij shtetasi dhe kanë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një telefon, i cili përdorej për vënie bastesh sportive në mënyrë të kundërligjshme.
Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të veprimtarisë së paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.